Vendimet e Qeverisë për t’i dënuar qytetarët si shkak i mos respektimit të masave anti-covid po konsiderohen si antikushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Avokati Tomë Gashi nuk e sheh vepër penale mosrespektimin e masave, pasi sipas tij, për një çështje të tillë duhet të ketë ligj të veçantë për pandeminë COVID-19.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi thotë se vendimet e qeverisë duhet të bëhen me udhëzimet e IKShPK-së.
“Mendoj që vendimi për dënimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës derisa nuk kemi një ligj përkatës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që do të jetë ligj në harmonim me Kushtetutën dënimet mund të jenë edhe antikushtetuese dhe antiligjore ku shumica e qytetarëve janë duke e respektuar për shkak të dënimeve që mund të pasojnë. Shpresoj që të gjitha vendimet e qeverisë duhet të jenë në harmoni me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik, sepse është më tepër çështje mjekësore dhe jo politike”, shtoi ai.
Avokati Gashi theksoi se ka shkelje të të drejtave të njeriut.
Sipas tij, situata e pandemisë mund të reflektojë edhe në gjendje të tensionimeve të caktuara për shkaqe të mentaliteti që mbizotëron në Kosovë.
“Ne e dimë që kemi shkelje të të drejtës së jetës së njeriut. Këtë nuk e bëjnë për shkak të përkatësisë nacionale sepse është një rast i dhimbshëm ku janë bërë më tepër se 13 vjet që një Polic i UNMIKU-t që ka vrarë Asistenten e vet dhe kam përfaqësuar të dëmtuarën. Edhe situata e pandemisë mund të reflektojë edhe në gjendje të tensionimeve të caktuara për shkaqe të mentaliteti që mbizotëron në Kosovë por kjo nuk është diçka që shfaqet vetëm në Kosovë por edhe në tërë rruzullin tokësor. Ne duhet t’i ikim situatave të tilla dhe shpresojmë të mos ketë raste të tilla”, shtoi Gashi.
E pakuptimtë për Gashin është mbajtja e maskave në fytyrë në ambiente të jashtme dhe qëndrimin pa maskë në ambiente të mbyllura.
“Prej vendimit të parë të qeverisë Kurti që ka qenë me datën 13 mars të këtij viti ne kemi pasur permanent kufizimet e të drejtave dhe lirive të njeriut por të njëjtat kanë qenë në interes të ruajtjes së jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sigurisht që masat në qeverinë Kurti kanë qenë adekuate me situatën e krijuar me propozimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe besoj se të gjithë ne e dimë që ato janë respektuar thuajse në tërësi. E kemi pasur një situatë jashtëzakonisht komike ku Presidenti i vendit Hashim Thaçi për arsye politike bënte agjitacion dhe kërkesa publike dhe deklarata në media qe vendimet e qeverisë Kurti të mos respektohen”, thotë ai.
“Sa i përket lirisë së lëvizjes kanë qenë nën minimumin e mundshëm dhe është përmirësuar kjo situatë duke u thirrur në ligjet e tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit publik. Ndërsa në qeverinë e tanishme të Hotit ku kemi një rregull obligative për mbajtjen e maskave për qytetarët e Republikës së Kosovës në ambientet e jashtme. Kemi situata të jashtëzakonshme të pakuptueshme ku mbajtja e maskave është e detyrueshme në ambientet e hapura por nuk është e detyrueshme që të mbahen në ambiente të mbyllura, në kafiteri e restorante”, u shpreh ai
Mes tjerash, Gashi ka thënë se nuk janë lejuar të vizitohen klientët e tyre që gjinden në paraburgim në burgjet e Kosovës, duke shtuar se kjo është një shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të të burgosurve.
“Ne kemi pasur dy rrethana prej datës 16 mars ku është ndaluar puna e Gjykatave dhe Prokurorive përveç rasteve të natyrës urgjente. Dhe kemi pasur ndalesë të vizitave të klientët tanë që gjinden në paraburgim në burgjet e Kosovës. Tani për shkak të gjendjes prapë është ndaluar vizita në burgjet e Kosovës. Kjo është një shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të të burgosurve, mirëpo është në harmoni me vendimin e qeverisë së Kosovës”, shtoi ai.
Sipas Gashit, çdo vepër penale është e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dhe janë çështje që për parandalimin e tyre duhet të ketë edukim gjithëpërfshirës.
“Nëse po flasim për dhunën në përgjithësi dhe dhunën ndaj grave ne kemi dispozita ligjore të cilat janë të parapara nëse vihet tek dhuna e tillë dhe kemi gjithçka të mbuluar në Kodin Penal sepse me dënime nuk mund të mbrohen jeta apo të drejtat e grave dhe burrave por mendoj që me një edukim apo me ndryshimin e rrethanave në Kosovë mund të përmirësohet gjendja, sepse kemi pasur raste të tilla kur janë shqiptuar dënime me burgim të përjetshëm. Çdo vepër penale është e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe janë çështje që për parandalimin e tyre duhet të kemi edukim gjithëpërfshirës”, shtoi Gashi.