Nënkryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi, ka thënë se në takimin e sotëm të tyre me Kryeministrin Avdullah Hoti është folur më së shumit për nisjen e fillimit të vitit të ri shkollor.
“Ne sot patëm takim me kryeministrin dhe ministrat e linjave. Është diskutuar për çështjet e arsimit – nisjen e mësimit më 1 shtator. Çështje ishte rishikimi i masave dhe që gastronomisë t’i mundësohet të punojë deri në 24:00. Pastaj pishinat dhe fushat e futbollit të vogël që t’u mundësohet ta ushtrojnë veprimtarinë sipas masave të IKSHKP”.
“Pati kërkesa nga komunat rreth buxhetit dhe problemet që kanë për nisjen e fillimit të vitit të ri shkollor. Brenda kësaj jave besoj se Qeveria do të dalë me rekomandime të reja”, është shprehur Gashi, njofton Klan Kosova.
Në Info Magazine, Gashi i cili drejton Komunën e Obiliqit, ka thënë se për çështjen e hapjes së shkollave ka komuna që pritet të kenë telashe.
“Mësimi do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët, klasat 1, 2 dhe 3 kurse me 7 shtator pritet për klasat 4 dhe 5 dhe nga 10 shtatori për klasat tjera. Këto janë rekomandime që kanë ardhur nga ministria bazuar në rekomandimet e IKSHPK”.
“Është një problem sepse secila komunë ka specifikat e veta dhe oraret e mësimit. Ka komuna që për shkak të hapësirave të kufizuara e kanë të vështirë. Në Obiliq i kemi shumicën e shkollave me vetëm një ndërrim. Mund t’i shfrytëzojmë shkollat edhe në ndërrimin e dytë”.