Në ceremoninë e hapjes së aktiviteteve sportive, organizuar nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se do të angazhohet në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në ngjarje sportive.
“Federata e Sportit Universitar ka luajtur rol kyç për implementimin e strategjisë për sportin. Nga statistikat që i kemi, në Kosovë ka pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në ngjarje sportive dhe kjo neve na bën që ta ndryshojmë strategjinë e sportit, në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje më aktive në sport”.
“Ne duhet ta rritim pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në ngjarje sportive dhe të sigurojmë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në sport”, tha ai.
Zrinko Custonja, presidenti i sportit universitar të Kroacisë, tha se e ardhmja e Kosovës në sport është e ndritur, raporton Ekonomia Online.
“Fuqia e sportit është gjuhë universale që i lidh të gjithë. Sporti ka fuqinë që t’i bëjë njerëzit bashkë dhe ta bëjë komunitetin më të mirë. Kosova ka sportistë të mrekullueshëm dhe e ardhmja e sportit është e ndritur, mirëpo Kosova duhet të jetë më aktive”.
Besnik Veliu, president i Federatës Sportive Universitare të Shqipërisë, tha se është e rëndësishme përfshirja e studentëve në sport, raporton EO.
“Java Evropiane e Sportit pakufi përfshin të gjitha moshat. Është një javë sensibilizuese që duhet të përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë për një jetë më të shëndetshme. Ju studentë jeni e ardhshmja e vendit, por ne do të dëshironim që studentët të jenë të përfshirë edhe në sport”.