Gashi: Gjykata duhet të kryej procedurat që Todosijeviq të mos i ikë drejtësisë

Prishtinë | 05 Tet 2021 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit, një muaj më parë i pati konfirmuar dënimin ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviqit, për deklaratën ku ai mohonte Masakrën e Reçakut.

Shkalla e parë e ka dënuar Todosijeviqin me dy vjet burgim dhe i njëjti nesër ka afatin e fundit kur duhet të paraqitet pranë organeve të drejtësisë për vuajtje të dënimit, njofton Klankosova.tv.

Leotrim Gashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se nga Gjykata Themelore nuk kanë arritur të marrin informacione rreth rastit të Todosijeviq.

“Sa i përket rastit të ish-deputeti Todosijeviq ne kemi kërkuar informata nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të njëjtit na kanë thënë se për shkak se mund të pengohet procedura e rastit nuk mund të na informojnë se kur është lëshuar urdhëresa. Do të shohim nëse Todosijeviq do të paraqitet vullnetarisht ose do të duhet të zbatohen dispozitat që detyrojnë që me forcë të dërgohet në institucionin korrektues”, tha Gashi.

Gashi në “Info Magazine” theksoi se Gjykata duhet të mos lejoj që Todosijeviq t’i ikë drejtësisë.

“Ne në çdo fazë kemi kritikuar sistemin e drejtësisë në rastet kur veprimet nuk janë kryer në kohën e duhur dhe nëse të dënuarin nuk dërgohen me kohë në Institucionet Korrektuese të njëjtit mund t’i ikin drejtësisë dhe në këtë mënyrë edhe mund të largohen nga Kosova – kështu duke u bërë të paarritshëm për organet e drejtësisë e më pas të parashkruhet i tërë dënimi”.

“Siç ka ndodhur me ish-kryetarin e Kaçanikut që është larguar nga Kosova dhe më pas është kthyer i lirë dhe më institucionet as nuk mund ta dërgojnë në burg edhe pse ka vendim të formës së prerë. Gjykata gjithmonë duke u zbatuar në procedurat ligjore duhet t’i kryejnë veprimet në mënyrë që secili i dënuar të dërgohet në institucionet korrektuese dhe ta vuaj dënimin”, tha Gashi.

Të ngjashme