Një situatë komike ndodhi gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të enjten. Ajo nxiti shumë të qeshura nga deputetët. Nuk rezistoi as vetë kryetari Glauk Konjufca, që e lëshoi shakanë.
Konjufca fillimisht ia dha fjalën deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili në fund do t’ia lëshonte një “kunj” partisë në pushtet, VV-së.
Gashi tha: “Pajtohem plotësisht me ty, është e drejtë e partisë për me i zëvendësu deputetët në komisione. Është vendosë më herët, në legjislaturën e kaluar, një precedent i keq prej Lëvizjes Vetëvendosje, kur ne si LDK kemi dashtë me zëvendësu një deputet për shkak të mungesës shëndetësore, që ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk na keni leju. Gjithsesi, unë mendoj që ju takon juve, është e drejtë e juaja, por meqenëse ne e kemi marrë një deputet nga ju, nuk po duam me ndërhy në çështjet tuaja të brendshme dhe ju mbetet juve me zgjedhë. Faleminderit!”
Me ta përfunduar fjalën, Gashi qeshi pak dhe në sallë u dëgjuan reagime.
Konjufca reagoi në mënyrë interesante: “Aaah… na ke ndihmu…” Pastaj pauzoi disa sekonda, nën qeshjet e deputetëve dhe të tijën, para se të vazhdonte: “Bravo t’qoftë!”
Kjo shprehje ishte bërë virale para disa viteve, kur një zonjë e moshuar i ishte drejtuar kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, tashmë i ndjerë, Bajram Rexhepi. Pasi ia kishte thënë me ironi disa fjalë pozitive, zonja më pas Rexhepit i kishte thënë: “Ja, na e keni *i nanën valla!” I befasuar, as Rexhepi s’kishte mundur të qëndronte pa qeshur pak në atë çast.