Gashi i LDK-së paralajmëron komision hetimor për skandalin me rezerva

Prishtinë | 03 Gus 2023 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se “keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezerva shtetërore, përkatësisht me produkte esenciale, kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore”.

Kjo deklaratë e tij vjen pas publikimit të përgjimeve të një bisede të zyrtarit të ministrisë së Tregtisë, Enver Hajrullahu, për blerjen e mallrave në rezervën shtetërore, transmeton Paparaci.

Në këtë kontekst, Gashi tha se LDK-ja me fillimin e sesionit vjeshtor do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor Parlamentar “për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”.

“Kështu që, përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit për këto raste, ne konsiderojmë se është e domosdoshme që të kemi edhe hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore”, shkroi ai në Facebook.

Përgjimi i publikuar nga Nacionale tregon për zyrtarin Hajruallahu që me pozitë është certifikues, i cili bisedon me zyrtarë të tjerë të MINT.

Sipas këtyre incizimeve, ndaj tij kishte presione të mëdha për ta nënshkruar kontratën rreth grurit, edhe pse disa ton mungonin. Certifikuesi nuk pranonte ta nënshkruante.

Sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

Të ngjashme