Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se sot i është drejtuar Prokurorisë Speciale me një kërkesë për hetimin e vdekjes së Naser Makollit, i cili kishte qëndruar në një qeli me Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi ka thënë se Prokuroria duhet t’i nis hetime lidhur me ndërlidhjen eventuale të këtyre dy vdekjeve.
“Tashmë dihet se Naser Makolli ka qenë në qendrën e Paraburgimit në Prizren në një qeli me Astrit Deharin, dhe ata kanë qëndruar bashkërisht për 67 ditë, respektivisht deri më 5 nëntor të vitit 2016, kur është vrarë Astrit Dehari, dhe pastaj rreth një muaj, ka qëndruar Naser Makolli prapë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Pastaj është transferuar në burgun e Lipjanit. Mirëpo pas 5 muajve qëndrimi në burgun e Lipjanit, ai ka vdekur në burg, pra është një situatë jashtëzakonisht e pasqaruar dhe unë sot si avokat i familjes Makolli kam bërë një kërkesë për hetimin e vdekjes së dyshimtë të Naser Makollit”.
“Këtë kërkesë e kam dërguar tek kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, pastaj e kam njoftuar edhe kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi. Unë besoj se këto raste mund të jenë të ndërlidhura dhe posaçërisht kur i kemi për bazë deklaratat e atyre që kanë qenë në dhomë me Naser Makollin në burgun e Lipjanit, ku deklarojnë se nuk iu është dhënë ndihma adekuate mjekësorë dhe ai ka vdekur në duart e njëri prej të burgosurve që ka qenë në qeli me të”, ka thënë Gashi.
Gashi beson se vdekja e Naser Makollit, ka ndërlidhje me rastin e Astrit Deharit. Thotë se Naser Makolli ka deklaruar se Astrit Dehari ka qenë jashtëzakonisht i frikësuar, posaçërisht dy javë para vdekjes së tij, ku thotë se Dehari i ka thënë se nëse i ndodh diçka, t’i njoftojë familjen dhe shokët e tij.
“Është diçka që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Astrit Deharit, meqenëse ne i kemi deklaratat e Naser Makollit, që i ka dhënë në polici brenda burgut në Prizren, derisa ka qëndruar, pas vrasjes së Deharit, ku në deklaratën e tij tregon se ‘Astrit Dehari ka qenë jashtëzakonisht i frikësuar, posaçërisht dy javët e fundit’ dhe atij i ka dhënë një letër të shënuara në një bllok, që nëse Astritit i ndodh diçka, atëherë Naser Makolli të thërras dikën prej familjarëve të tij dhe dikush prej shokëve të tij”.
“Pra Naseri këtë e ka thënë në deklaratat e tij të cilët i kemi pasur edhe më herët, por unë nuk kam mundur të veprojë në emër të familjes së Makollit pa e pasur autorizimit, por që tash e kam autorizimin që nga 20 prilli i këtij viti, dhe në bashkëpunim me familjen e tij ne kërkojmë që të sqarohen rrethanat e vdekjes së Naser Makollit. Ne kemi njoftime se ai ka humbur shumë peshë dhe ka vdekur pas një ataku në zemër, mirëpo gjithçka tregon se vdekja e tij mund të ketë ndërlidhje me rastin e Astrit Deharit”, u shpreh Gashi.
Avokati Gashi thotë se e ka parë trupin e pajetë të Astrit Deharit, ku shihen plagë vetëmbrojtëse të tij. Thotë se ka pasur plagë në formë të boksit në pjesë ballore dhe ka pasur plagë në gjithë trupin e Deharit.
“Unë e kam parë trupin e Astrit Deharit gjatë obduksionit që është krye dy ditë pas vrasjes së tij dhe e kam parë trupin e tij në mënyrë të ligjshme, sepse kam qenë i lejuar. Ne kemi pas edhe ekspertë të pavarur Besim Ymaj dhe Besim Latifi, që kanë përpiluar ekspertizat e tij në shumë faqe ku janë sqaruar në mënyrë shkencore dhe janë shpjeguar plagët vetëmbrojtëse të Astrit Deharit, ku ka pasur plagë në formë të boksit në pjesën ballore të tij dhe ka pasur plagë në gjithë trupin e tij, që ato plagë vetëmbrojtëse konsiderohen në aspektin juridik vrasje”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Gashi ka dhënë detaje shokuese, ku thotë se janë dërguar disa zarfe të zbrazëta në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, ku supozohej të ishin mbetje të thonjve të Deharit. Gashi thotë se me kërkesë të ministres në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeprokurin e shtetit, Aleksandër Lumezi, ky institut të vijnë në Kosovë dhe të japin sqarime shtesë në Prokurori.
“Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në bashkëpunim me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë arritur që t’i bindin ekspertët e Institutit e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, që dikund në qërshor të vijnë dhe të japin sqarime eventuale shtesë në Prokuroria ka nevojë. Është tepër shokuese që një mori provash esenciale nuk janë dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren. Këto kërkesa kanë shkuar përmes ish-ministrave të Drejtësisë, dhe paramendoni ne kemi njoftim zyrtarë se janë dërguar dy pliko edhe me mbetjet e thonjve të dorës së majtë dhe të djathtë të Astrit Deharit dhe ato pliko kanë qenë të thata. Pra kanë dërguar diçka që nuk ka ekzistuar fare dhe tani kemi njoftim se kinse janë bërë hulumtime të gjurmëve të thonjve të Deharit nuk janë askund. Pra, janë dërguar zarfe të zbrazëta dhe aty janë shënuar se janë pjesë të thonjve të Deharit, për të gjurmuar ADN-ja” , ka thënë ai për Ekonomia Online.