Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi mori pjesë në Konferencën Rajonale “E drejta e Autorit në Kohën Digjitale” e cila u organizua nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Me këtë rast ministri Gashi foli rreth rëndësisë së krijimtarisë kulturore, inovacionit dhe zhvillimit të së drejtës së autorit në vendin tonë.
“Kreativiteti dhe novacioni janë baza e krijimtarisë kulturore dhe ekonomike e një shoqërie, edhe në kohën digjitale veprat e autorit krijohen me shumë mund dhe investim, ndërsa teknologjia e ka bërë të mundur që kopjet digjitale të veprave të bëhen shpejt dhe me shumë pak shpenzime e mund”, tha ministri Gashi.
Ministri u shpreh i vendosur për të vazhduar punën në mbrojtjen e të drejtës së autorit në ambientin digjital.
“Puna e jonë ka qenë e bazuar në krijimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit dhe në luftimin e piraterisë fizike edhe ashtu në zhdukje falë zhvillimit të teknologjisë, institucionet ligj zbatuese në kuadër të Task Forcës kundër piraterisë, Inspektorati i tregut, Policia dhe Dogana e Kosovës të koordinuara nga Zyra për të Drejtën e Autorit, kanë marr masa të vazhdueshme kundër shkeljeve të së drejtës së autorit, mijëra mallra pirate janë sekuestruar dhe konfiskuar”.
Ministri po ashtu theksoi se viti 2018 është vit i të drejtës së autorit për Kosovën sepse pas pesë viteve negociata është arritur marrëveshja e parë dhe historike për tarifat e përgjithshme për shfrytëzimin e muzikës nga transmetuesit në territorin e Republikës së Kosovës, janë miratuar tarifat për kompensime të veçanta.
“Ministria që drejtoj unë deri në fund të marsit të vitit 2019, do të propozoj edhe tarifat për operatorët kabllorë, në këtë mënyrë do të funksionalizohet menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit. Ne jemi duke ecur përpara dhe sigurt për të krijuar një ambient ku të drejtat e autorit zbatohen dhe autorët e krijuesit gëzojnë mbrojtje dhe përftime ekonomike nga veprat e tyre, Kosova çdo ditë e më shumë po mbron autorin”.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit, në Ministrinë e Kulturës (MKRS), Valon Kashtanjeva përmendi faktin që Kosova është duke punuar në fuqizimin e legjislacionit në fuqi, por ai përmendi edhe disa sfida që e karakterizojnë vendin në luftimin për të drejtat e autorit.
“Për shkak të kësaj kohë digjitale paraqitet si sfidë internet dhe shkelja e të drejtës së autorit duke përdorur teknologji. Edhe pse teknologjia e ka mundësuar që veprat e autorit të takojnë më lehtë përdoruesin kudo që të jetë duke anashkaluar këta kufi tradicional. Pra sistemi jonë I ri institucionet kanë marrë veprime me qëllim që të luftohet pirateria mund të them kështu sepse janë sekuestruar me mijëra mallra kopje pirate”, tha Kashtanjeva.
Sipas Kashtanjevës, sfidë për të drejtën e autorit është edhe mungesa e një domeni të internetit në vendin tonë.
Andresa Toth nga zyra për Pronësi Intelektuale në Hungari, tha se është e rëndësishme që çdo vend të ketë të drejtën e autorit, duke pamundësuar që pirateria të sfidojë krijimtarinë e tyre.