Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë është pritur zyrtarisht nga i Ngarkuari i Ministrisë së Jashtme për Ballkanin, Ambasadori Christian Hellbach.
Gashi ka diskutuar me Hellbach për situatën aktuale në Kosovë, procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Gashi i ka prezantuar Ambasadorit Hellbach edhe projektet aktuale në të cilat Kosova është angazhuar në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit dhe ka shprehur interesin që ky bashkëpunim mes dy qeverive të thellohet edhe më tutje.
“Kosova çmon dhe vlerëson lart rolin e Gjermanisë për peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë procesit të dialogut”, ka thënë mes tjerash ai.
Ai gjatë kësaj vizite ka ngritur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Rrjetin Traduki ku Kosova ka aplikuar zyrtarisht, dhe ndihma e ndikimi i Berlinit në procesin e anëtarësimit konsiderohet si një nevojë e domosdoshme për vendin tonë.
Po ashtu nga ana e Ambasadorit Hellbach u kërkua mbështetje për hapjen e Institutit Goethe në Kosovë. Marrë për bazë faktin se në shtetin gjerman jetojnë rreth 400 mijë shtetas kosovar dhe ku Gjermania paraqet jo vetëm mikun por edhe partnerin tonë kryesor në Evropë.
“Hapja e Institutit Goethe në Kosovë do të rrisë edhe më tutje bashkëpunimin në fushë e kulturës”, vlerësoi Gashi.
“Kosova është me fat që ka një vend mik siç është Gjermania, roli i së cilës është jetik nëpër të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës”, është shprehu Gashi pas përfundimit të kësaj vizite.