Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se mos përgjigja e kryeministrit Albin Kurti në ftesën e Prokurorisë Speciale, “sinjalizon qytetarët se mund ta anashkalojnë ftesën e prokurorisë”, raporton Ekonomia Online.
“Sinjali që dërgohet me mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në PSRK është i gabuar dhe sinjali që u dërgohet qytetarëve është se mund ta anashkalojnë ftesën e prokurorisë”, tha Gashi, teksa foli edhe për ftesën që u ka bërë prokurorëve për takim në zyrën e tij.
“Ende më keq që të thirret prokurori dhe sjellja e ekzekutivit mbi prokurorinë është e gabuar dhe nënkupton vlerësimin e tij mbi gjyqësorin. Nëse vlerëson se duhet të kemi drejtësi, atëherë duhet tu përgjigjet ftesave”, tha ai para mediave.