Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë bazë ligjore për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese, letrën e presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket mundësisë së ankimimit të një vendimit të mundshëm Kuvendit në Gjykatë Kushtetuese apo letrës së presidentit mendoj se kemi këndvështrime të ndryshme. Letra e presidentit është letër njoftuese dhe nuk ka bazë ligjore që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Është e drejtë e kujtdo që konsideron që ju ka mohuar një e drejtë ose që ka veprime jokushtetuese nga Kuvend t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast LVV mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk gjykojmë, ne japim bindjet tona”, tha Gashi
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese letrën e presidentit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga presidenti i vendit dhe kreu i LDK’ë, që të publikojnë shkresën e dërguar për mandatarin te Lidhja Demokratike.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se zyra e presidentit javën që ka shkuar ka konfirmuar se presidenti ka kërkuar nga LDK’ja, emrin për mandatar. Ajo thotë se megjithatë, kjo shkresë nuk është publikuar ende në media.
Zyra e presidentit, javën e kaluar ka konfirmuar një takim të mbajtur në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.
Aty është bërë e ditur se presidenti i ka dorëzuar Mustafës një letër ku i kërkon propozimin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse.