Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targat, është krim.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Gashi tutje tha se kjo marrëveshje është humbje për Kosovën.
Madje ai ka pyetur Qeverinë: A është Zajednica, çka është kjo, sqarohuni?
“Pas shout para dy javëve ku kryeministri Kurti doli me pompozitet duke deklaruar aksionin në veri, rezultatet sot janë të dhimbshme. Ajo që shohim sot, marrëveshje e Kosovës me Serbinë për tërheqjen e forcave policore nga veriu. Pse duhet të bëjë Kosova marrëveshje të tillë? Problemi më madhor këtu është se cila është strategjia e Kosovës në raport me Serbinë”.
“Qeveria aktuale marrëveshjen e parë që e bën me Serbinë është marrëveshja për pranimin e targave ilegale si targa zyrtare në territorin e Kosovës. Kjo çfarë keni bërë ju është humbje për Kosovën. Qeveria e Serbisë lëshon zyrtarisht të pranuara nga Kosova, targa për Kosovën, çka është kjo? A është Zajednica, çka është? Këtu ka nevojë të sqarohet se çfarë keni pranuar ju”.
“Keni zyrtarizuar institucione kriminale dhe paralele në Kosovë. Për herë të parë keni nënshkruar një marrëveshje ku Serbia lëshon targa për Kosovën. Ju që keni hedhur gaz lotsjellës këtu, ju që keni ushtruar dhunë në këtë kuvend për këtë marrëveshje. Ky është një krim të cilin ju e keni bërë”, tha Gashi.