Ministri i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar lokalitetin e Dresnikut në Klinë për të parë nga afër gërmimet arkeologjike që po bëhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Ministri Gashi tha se vizitoi Dresnikun për të bashkëbiseduar me stafin dhe drejtuesit e Institutit Arkeologjik të Kosovës për nevojat shtesë buxhetore që ka ky projekt, raporton Ekonomia Online.
Ai e vlerësoi këtë vend si një prej lokaliteteve shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
“Në këtë kuadër jam shumë i interesuar që me autoritetet lokale të bashkëbisedojmë për çështjen e pronave duke pasur parasysh që këtu pronat janë private”.
Gashi tregoi se është i interesuar që bashkë me institucionet përkatëse ta formojnë komisionin për hartimin e planit të menaxhimit, jo vetëm për lokalitetin e Dresnikut, por edhe për lokalitete të tjera.
Ministri i Kulturës premtoi se do të ndajnë mjete shtesë financiare për të gjitha projektet e trashëgimisë kulturore që sjellin suksese dhe rezultate, në mënyrë që të mos ndërprehet puna në to, raporton EO.
“Ajo që është shumë me rëndësi si ministër dhe ministri jemi të interesuar që të gjitha gërmimet që po ndodhin në lokalitete si Dresnik, Ulpianë dhe të tjera, të ndajmë edhe mjete shtesë nëse paraqitet nevoja, në mënyrë që në koordinim me planin e punës që kanë këto institucione, por edhe me rezultate.”
“E kam thënë edhe në fillim se të gjitha projektet dhe institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore, por edhe tjerat, ato të sjellin rezultate dhe suksese ne do t’u rrimë gati dhe do të jemi të gatshëm që të ndajmë mjete shtesë për mosndërprerjen e punës, sepse si ministri e kemi thënë edhe në fillim të mandatit se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe kjo po dëshmohet duke pasur parasysh që po zhvillohen punime në të gjitha lokalitetet”.
Udhëheqësi i projektit të gërmimeve, Elvis Shala, tha se nëse MKRS-ja vazhdon financimin e këtij projekti, ashtu siç ka bërë për shtatë vjet me radhë, Dresniku për një kohë të shkurtër do të shndërrohet në vend të rëndësishëm për vizitorët, raporton EO.
“Nëse vazhdon ky intensitet i financimit nga Ministria e Kulturës, besoj që për një kohë shumë të shkurtër Dresniku do të jetë një prej vendeve më të rëndësishme, të vizitueshme për turistët që vijnë në Kosovë”.
Nga gërmimet e deritashme në këtë lokalitet janë zbuluar dy pallate dhe muri rrethues, të ndërtuara në fund të shekullit III në kohën e Perandorisë Romake.
Besohet se ka qenë pallat i perandorit duke u bazuar në llojin e vendbanimit dhe luksin e estetikën që ka pasur mozaiku.
Arkeologët ende nuk kanë arritur të zbulojnë në kohën e cilit perandor është ndërtuar pallati me dy pjesë.