Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) Kujtim Gashi ka nënshkruar dy vendime atë për caktimin e vlerës financiare për poentimin e sportistëve dhe trajnerëve dhe vendimin për caktimin e vlerës financiare të poentimit të pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale.
Gashi tha se këto vendime do të ndikojnë në rritjen e cilësisë në sport, raporton Ekonomia Online.
Me njërin vendim caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D.
Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3250 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 1650 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1500 euro, për grupin C vlera e pikës është 1100 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.
Ndërkaq, me vendimin tjetër caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Për sportistët vlera e pikës është në shumë e 120 euro po aq sa është edhe prej trajnerët.
Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.
Gashi shtoi këto ato janë ndër më të rëndësishmet që ka marrë ministria deri në këtë fazë.
Sipas tij, nga sot edhe për sportet edhe për trajnerët do të bëhet vlerësim në bazë të punës dhe rezultateve që do të arrijnë dhe kjo sipas tij do të ndikojë në rritje të konkurrencës e rrjedhimisht edhe cilësisë.
“Me këto vendime është vënë baza se si dhe sa do të financohen nga shteti federatat e sportit. Kjo do te jetë motivim për federatat dhe të fokusohen në rritjen e cilësisë. Besoj që është fillim i mbarë sepse është vlerësuar se do të krijohet efikasitet më i madh. Këto janë dy prej vendimeve më të rëndësishme”.
“Nga sot edhe për sportet edhe për trajnerët do të bëhet vlerësim në bazë të punës dhe rezultateve që do të bëjnë. Më këtë krijojmë një konkurrencë mes sporteve, sportistëve dhe trajnerëve në mënyrë që ata të jenë më të suksesshëm”.