Gashi: Nuk kemi parë asnjë provë që Prokuroria Speciale mund të ngre aktakuzë ndaj Gucatit e Haradinajt

Prishtinë | 12 Tet 2020 | 21:44 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht se është thënë që do të ngrihet aktakuzë brenda 30 ditësh ndaj Hysni Gucatit, avokati Tomë Gashi, thotë se nuk ka prova për një gjë të tillë.

Më 1 tetor kur kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ishte paraqitur në seancën dëgjimore në Hagë, prokurorja e Specializuar, Valeria Bolici tha se do të dorëzojë në Gjykatën Speciale brenda 30 ditësh aktakuzën ndaj Gucatit.

Mirëpo, edhe pas 12 ditësh akoma nuk ka asnjë veprim të prokurores Valeria Bolici.

Avokati i OVL-së së UÇK-së, Tomë Gashi, ka thënë për lajmi.net, se pavarësisht këtyre deklaratave, thotë se nuk kanë parë asnjë provë mbi bazën e së cilës Prokuroria Speciale do të mund të ngrejë aktakuzë.

Sipas Gashit, përderisa nuk ka një aktakuzë të tillë e cila vetëm është përfolur por nuk është bërë publike, nuk ka as çfarë të komentojë.

“Ne gjatë seancës në Gjykatën Speciale në Hagë për zotëri Gucatin dhe Haradinajn kemi parë paralajmërimin e Prokurorisë se sipas tyre brenda 30 ditësh nga intervistimi i tyre, këta do të jenë në gjendje që të ngrisin aktakuzë kundër të dyve për vepra penale që sipas tyre ndërlidhen me pengim të drejtësisë. Ne nuk kemi parë ende asnjë provë, se në bazë të cilave Prokuroria Speciale në Hagë mendon të ngrisë aktakuzë kundër zotëri Haradinaj dhe zotëri Gucatit, çfarë prova ata mund të përdorin dhe derisa nuk e shohim një aktakuzë të publikuar nuk mund të komentojmë më tutje”, deklaroi Gashi.

Theksojmë se më 25 shtator të këtij viti, hetues të Gjykatës Speciale kishin hyrë në zyrat e OVL-UÇK-së për të kryer bastisje që u pasuan me arrestimet e dy krerëve të këtij institucioni, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt ishte bërë pas publikimit të dosjeve që ishin publikuar nga ta, dosje këto që ishin të Gjykatës Speciale dhe që sipas kësaj gjykate, OVL-UÇK ka bërë shkelje që ka publikuar.

Theksojmë që Zyra e Prokurorit të specializuar ka thënë se ndaj Gucatit e Haradinajt do të ngrihet shumë shpejt aktakuzë, madje në rastin e Gucatit është thënë që brenda 30 ditësh, që i bie në fund të muajit tetor dhe në ditët e para të muajit nëntor.

Të ngjashme