Operatori serb i telefonisë mobile MTSdoo, po vepron në bazë të marrëveshjes së Brukselit, kështu thonë në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, i ka thënë Radio Kosovës se matjet e bëra tregojnë se operatori i përkohshëm serb, po zbaton marrëveshjen në përpikëri dhe po operon në bazë të rekomandimeve të ARKEP-it.
Autoritetet e telekomunikacionit në Kosovë thonë se po zbatohet plotësisht marrëveshja e arritur në Bruksel, për kodin telefonik të Kosovës + 383, pjesë e të cilës është edhe licencimi i një operatori serb me frekuenca të kufizuara.
Kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, tregon për Radio Kosovën, se nga inspektimet e fundit rezulton se operatori i licencuar serb MTS-DOO, po respekton kushtet e marrëveshjes së Brukselit.
“Operatori i përkohshëm dhe i kufizuar MTS-DOO, është duke funksionuar në bazë të marrëveshjes, vetëm në ato zona ku është i lejuar të funksionoj. Matjet tona konfirmojnë se nuk ka asnjë tejkalim të asaj që është arritur ne marrëveshje”, tha Gashi.
Drejtori i operatorit serb, MTSdoo, Ilija Ivanoviq, në një përgjigje elektronike i ka thënë Radio Kosovës, se ky operator po punon në bazë të asaj që është paraparë në marrëveshje. Ivanoviq, theksoi se MTSdoo, bazuar në licencën e dhënë nga ARKEP, posedon 60 mijë numra dhe ka sinjal në 23% të territorit te vendit dhe atë në Veri të Kosovës, Graçanicë, Shtërpcë dhe Anamoravë.
Kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, theksoi për Radio Kosovën se edhe operatori serb MTSdoo, ashtu si edhe VALA dhe IPKO do e përdorin kodin e Kosovës +383, i cili që nga korriku i vitit të ardhshëm do të jetë kodi i vetëm në vend.
“Ripërsërisë edhe një herë që kodi shtetëror i Kosovës + 383 do të jetë kod i të gjithë operatorëve që funksionojnë në Republikën e Kosovës. Ndërsa kodet tjera si +381, +377 dhe + 386, të gjitha do të shuhen”, tha Gashi.
Ilija Ivanoviq, drejtori i operatorit serb, MTSdoo, i pyetur nga Radio Kosova se cilin prefiks duhet përdorur për të bërë thirrje nga Vala dhe IPKO në drejtim të këtij operatori, tha se kjo varet nga operatorët Vala dhe IPKO. Sipas tij, MTSdoo mundëson thirrjet me kodin +383 por edhe pa të.
Ivanoiviq nuk tregoi nëse thirrjet nga ky operator në drejtim te Serbisë do të jenë thirrje të brendshme apo ndërkombëtare. Megjithatë ai tha se shfrytëzuesve do t’iu mundësohen dy variante të thirrjeve: me dhe pa prefiksin +381.
Përveç ndarjes së kodit dhe licencimit të një operatori serb me frekuenca të kufizuara, marrëveshja e Brukselit parasheh edhe shuarjen e operatorëve ilegalë serbë në Kosovë. Sipas ARKEP-it që nga 1 maji asnjë operator ilegal nuk operon në Kosovë.