Avokati Tomë Gashi beson se padia ndaj ish-senatorit zviceran, Dick Marty, ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, dhe Jose Pablo Baraybar, ish-kryesues i Zyrës për Persona të Zhdukur në kuadër të UNMIKU-t, do të jetë një mundësi e mirë për zbardhjen e të vërtetës lidhur me dyshimet për krime lufte nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi thotë se kjo padi dhe zbardhja e së vërtetës do të ofronte mundësi për zhbërjen e Gjykatës Speciale në mënyrë ligjore.
“Ne besojmë se fare lehtë mund ta argumentojmë se Dick Marty me raportin e tij, ka mashtruar Këshillin e Evropës i cili përmban trillime për të cilat kurrë s’kanë ndodhur në shtëpinë e familjes Katuçi. Dhe pastaj institucionet e Kosovës pasi të vërtetohet se gjithçka ka qenë e rrejshme besoj që do të gjenden modalitete për ta ndaluar punën e Gjykatës Speciale, por në mënyrë të ligjshme”, tha Gashi, për Ekonomia Online.
Gashi i cili është autorizuar nga Mersin Katuçi, i fshatit Gurë Republika e Shqipërisë, për të ngritur padi ndaj Dick Marty dhe të tjerëve për akuzuat se në shtëpinë e tij, kanë ndodhur krime, dhe heqje të organeve ndaj cilëve nga ish-ushtarët e UÇK-së, ka thënë se familja nga Katuçi ka propozuar atë që të ushtrojë padinë, duke e ditur se është avokat i shoqatave të dala nga lufta.
“Ideja ka qenë e familjes Katuçi i cili ka parë intervista të mija si avokat i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe ai ka besuar se si avokatë i këtyre organizatave mund të merrem edhe më këtë çështje, pastaj ai ma ka ftuar përmes disa miqve të përbashkët në Shqipëri dhe kamë marrë autorizimin”, ka treguar Gashi.
Ai ka thënë se për ngritjen e padisë, përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar edhe Kryeprokurori dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, t’i ofrojnë raportin e Clint Williamson, por që sipas Gashit këtë raport se posedon askush.
“Kamë kërkuar këtë dokument nga Kryeprokurorit i Shtetit Aleksander Lumezi, i cili është njoftuar por është kërkuar t’i drejtohem Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe poashtu kam kërkuar në bazë të autorizimit të familjes raportin e Clint Williamson dhe përgjigja e Prokurorisë Speciale, kryeprokurorit Blerim Isufaj është që këta nuk e kanë raportin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se raportin e ka kërkuar dhe nga Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Xhek Smith për të cilin po pret përgjigje, por thotë se nuk do të presin gjatë dhe se padia do të dorëzohet.
“Ne jemi duke e pritur sigurimin e raportit të prokurorit amerikan Williamson i cili faktikisht është një lloj kallëzimi penal. Paditë do të jenë penale dhe civile”, tha Gashi.