Gashi para Kuvendit të LDK-së: Sot është hapi i parë, më pas flasim për kandidaturat

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj partie, ka deklaruar se pret që procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të suksesshme, raporton Ekonomia Online.

Gashi tha se kuvendi përbën një hap të rëndësishëm në funksionimin e brendshëm të partisë, ndërsa theksoi se në këtë fazë nuk duhet të diskutohet për kandidatura.

“Mendoj se do të jetë një proces demokratik dhe i suksesshëm dhe është një nivel i ri i politikëbërjes në Kosovë. Nuk flasim sot për kandidatët, sot është hapi i parë, duhet të mblidhemi bashkërisht të gjithë dhe të vendosim”, ka deklaruar Gashi.

I pyetur nëse ka pasur presion ndaj tij për kandidaturë apo për ndonjë pozitë brenda LDK-së, Gashi iu përgjigj duke e kundërshtuar një mundësi të tillë.

“Po thu që më bën dikush presion mu, a”, tha ai.

Ndërsa lidhur me mundësinë që të kandidojë për pozitën e kryetarit të LDK-së, deputeti tha se fillimisht duhet të përfundojë hapi i parë i procesit.

“Ta shohim hapin e parë, pastaj flasim”, shtoi Gashi.

Të ngjashme