Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës Rinore në Komunën e Pejës, raporton EkonomiaOnline.
Gashi tha se si ministri janë duke punuar që të rinjve t`i ofrojnë kushte dhe hapësira në mënyrë që të merren me aktivitete.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë investuese e këtij projekti dhe jemi duke planifikuar edhe disa investime ne komuna të tjera. E kemi përfunduar projektin në Vushtrri, jemi duke investuar në komunën e Ferizajt dhe shumë shpejt do fillojmë me tri qendra të tjera rinore në qytete të ndryshme, në mënyrë që të rinjve të Kosovës t`i kushte, mundësi dhe hapësira të reja në shërbim të aktiviteteve rinore, sepse siç dihet pjesa më vitale e shoqërisë janë të rinjtë”, ka thënë ministri.
“Ne si ministri e kemi në plan të veçantë investimin në fushat e rinisë, edhe te pjesa e investimeve kapitale, infrastrukturore dhe pjesa e programeve rinore dhe besoj se kështu fuqishëm do vazhdojmë edhe gjatë vitit 2019”.
Kurse kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri tha se kjo qendër do t`i shërbejë të rinjve që të merren me aktivitete sportive.
“Është një qendër rinore e cila është e punuar mjaft mirë. Besoj që do t’i shërbejë edhe lagjes Dardania por edhe të gjithë komunitetit rinor që merren me aktivitete sportive”.
Ndërsa në fund, ministri bashkë me kryetarin e komunës vizituan edhe stadiumin e qytetit “Shahin Haxhislami”.