Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ( MKRS), Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Federatës e Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, raporton Ekonomia Online.
Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata mbështetet nga Ministria me 248 mijë e 472 euro.
Ai tha se ky vit ka qenë i suksesshëm për Kosovën. Ministri Gashi ka përmendur disa suksese që e kanë karakterizuar Kosovën këtë vit.
Gashi ka thënë se këtë vit pritet të përfundojë palestra sportive e Istogut derisa ka lënë të hapur mundësinë e një palestre të re në Prishtinë, por kjo do të bëhet pas rishikimit të buxhetit në qershor.
“Është kënaqësi e veçantë të jemi këtu në këtë institucion të rëndësishëm. Jemi në një fazë të rëndësishme të sukseseve të basketbollit të Kosovës. Viti i kaluar ka qenë i suksesshëm për Kosovën. Me kënaqësi kemi ardhë me e nënshkruar marrëveshjen. Këtë vit i përuruam dy palestra. Tashmë Kosovës i kemi dhënë njërën prej palestrave më të bukura siç është ajo e Rahovecit. Po ashtu edhe palestra e Shtimes. Në qershor të këtij viti do të përfundon dhe palestra e Istogut dhe bashkë me kryetarin u dakorduam për mundësinë e krijimit të një palestre të re në Prishtinë pas rishikimit të buxhetit në qershor”, tha ministri Gashi.
Kryetari i Federatës e Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, tha se ministri Gashi e ka përkrahur shumë basketbollin në Kosovë që nga ardhja e tij në krye të MKRS-së.
“Shpresoj që edhe këtë vit do të na përkrahni. Kemi përkrahjen që e kemi pasë edhe në vitin e kaluar. Ju faleminderit personalisht për gjithë angazhimin tuaj për basketbollin e Kosovës. Për ketë punë ju keni një ndikim të madh. Ju keni ndikuar në zhvillimin e sportit kosovar. E keni bë një organizim të madh për klubin e vajzave”, tha Fetahu, raporton EO.