Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim delegacionin nga Malta, të kryesuar nga Carmelo Abela, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit në fushat e interesit të dyanshëm të dy shteteve mike, Kosovës dhe asaj të Maltës, me theks në kulturë e trashëgimi kulturore.
Ndër çështjet e bisedës në këtë takim ishte edhe fokusimi në qytetin e Prizrenit, duke bashkëpunuar në projekte konkrete mes dy shteteve.
Ndër të tjera, ministri e njoftoi ministrin maltez se MKRS ka themeluar edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore si një mekanizëm që funksionon në kuadër të Trashëgimisë dhe në këtë drejtim Republika e Maltës do të mund të ndihmonte me përvojën e saj.
Ndërsa, ministri Abela shprehu kënaqësinë që ndodhet në një qytet të mrekullueshëm, siç e quajti ai qytetin e Prizrenit. Ai vlerësoi se është e rëndësishme që përpos marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve të ketë edhe bashkëpunim konkret në fusha të caktuara.
Të dy ministrat u pajtuan që të konkretizohen planet për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim mes dy vendeve, ashtu që historia e dy popujve të ruhet dhe të kujtohet ndër gjeneratat që vijnë pas.
Ndërsa, ministri i jashtëm i Maltës, Carmelo Arbela dhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, vizituan objektet fetare të Prizrenit.