Në debatin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, përfaqësues të shoqërisë civile nga e gjithë Kosova morën pjesë në diskutimin me ministrin Kujtim Gashi, rreth problemeve dhe sfidave të të rinjve kosovarë.
Valdet Janova, nga organizata “ACCESS”, shfaqi shqetësimin e tij për përfshirjen e partive politike në organizatat e të rinjve, raporton Ekonomia Online.
“Qendrat rinore po kthehen në qendra politike, ku në disa qytete në Kosovë drejtoreshat po i caktojnë subjektet politike ku automatikisht ky kthehet në qendër politike. Krejt të rinjtë që aktivizohen në atë qendër me njëfarë forme duhet t’i takojnë asaj partie që është në pushtet. Unë kisha kërku që me një nen të veçantë me u ndalu kjo pjesë”.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se nuk do ta lejojnë përfshirjen e politikës në organizatat rinore, raporton EO.
“Nëse je drejtor i Drejtorisë së Kulturës, në të njëjtën kohë edhe pjesë e një organizate të shoqërisë që e financon komuna, shteti, atëherë është konflikt interesi. Kjo është e caktume me ligj. Përndryshe, me këto ndryshime organizatat rinore, këshillat rinorë, qendrat rinore, të gjitha mekanizmat rinorë do të përgatiten të depolitizohen”.
“Të gjithë të rinjtë, i inkurajoj të merren me politikë, por të gjitha partitë politike kanë forumet e veta rinore dhe nuk ka kurrgjë të msheftë, shkon dhe zhvillon aktivitet politik, por në parti politike. Por në organizata rinore nuk do të lejojmë që të përfshihet pjesa e politikës”.
Arbër Ademi, nga shoqata “Handikos”, kërkoi që të rregullohet roli i Kuvendit të të rinjve të Kosovës sepse, sipas tij, qendrat rinore pjesën më të madhe të buxhetit e shfrytëzojnë për vetë e jo për rininë.
“Prezantimi i profesorit ka sjellë avancime të reja sepse janë të nevojshme për rininë. Roli i Kuvendit të të rinjve të Kosovës është mirë të rregullohet me mekanizëm, sepse qendrat rinore më shumë i shfrytëzojnë mjetet për vete sesa për rininë”.
Vesa Ibrahimi, nga Këshilli i Veprimit Rinor të Kosovës, u shpreh kundër implementimit të projekteve nga kuvendet rinore.
Unë mendoj që duhet të jetë një mekanizëm përforcues. Pajtohem shumë me Arbërin që tha KVR po i implementojnë projektet. Unë jam kundër implementimit të projektit të KVL-së dhe KVR-së. Ndoshta jam e vetmja kryetare e KQVR-së që nuk kam implementu projekte, por kam qenë përfaqësuese e rinisë në shumë komisione”.
“Ndoshta kishte qenë mirë me shqyrtu qysh mundemi me i ndryshu këta mekanizma që Kuvendi, KQVR-ja të mos implementojë projekte që nuk i takojnë atyre”.