Avokati Tomë Gashi i ka dalë kundër kërkesës Zyrës së Prokurorisë Speciale që ka kërkuar nga gjashtë vjet burg për krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, për rrjedhen e dokumenteve të Gjykatës Speciale.
“Gjykata do të duhej që fillimisht ta pyesë prokurorinë se të kujt janë këto dokumente. Edhe pse z.Haradinaj dhe Z.Gucati janë më tepër se një vit e gjysmë në paraburgim, ne ende nuk e dimë dhe nuk e kemi të qartë se si kanë rrjedhur këto dokumente”, ka thënë Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“A janë të Prokurorisë Speciale respektivisht të Gjykatës Speciale apo nuk janë? Nëse janë, atëherë këta do të duhej ta hetonin vetveten, dhe t’i gjenin personat se si kanë rrjedhë këto dokumente që kanë përfunduar prej Holandës, prej Hagës në qendër të Prishtinës, në zyret qendrore të Organizatës Veterane të UÇK-së”.
“Ne nuk e dimë se personi i cili në këtë rast i ka sjellë këto dokumente – kush është ai person? Domethënë mos ka qenë kjo një grackë e përgatitur nga vetë Prokuroria Speciale e Hagës që t’i vë në grackë, që të ketë një kleçkë të tillë sepse këta e kanë ditur për vite më herët se çfarë qëndrimi kanë të gjithë zyrtarët e organizatës së veteranëve të UÇK-së. Që t’i vë në grackë, që të ketë një kleçkë të tillë sepse këta e kanë ditur për vite më herët se çfarë qëndrimi e kanë ata”.
Sipas Gashit, Haradinaj dhe Gucati duhet shpallur të pafajshëm meqenëse thotë se nuk ka prova konkrete se ata e kanë dëmtuar punën normale të Gjykatës Speciale.
“Drejtësi do të ishte që Gjykata Speciale t’i shpallë të pafajshëm Nasim Haradinaj, edhe Hysni Gucatin”.
“Ata nuk kanë prova konkrete që këta me vullneti ne tyre e kanë dëmtuar punën normale të Gjykatës Speciale edhe pse Prokuroria e thotë këtë që kinse ka qenë qëllimi i minimit të punës së Gjykatës Speciale”.