Mbajtja e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut në paraburgim, pa vendim gjyqësor, për më shumë se 75 ditë, është e paligjshme dhe kundër të drejtave të njeriut, tha avokati Tomë Gashi gjatë një konference për medie
Avokati mbrojtës i Sylejman Selimit vlerësoi se klienti i tij dhe Jahir Demaku po mbahen në burg në mënyrë të kundërligjshme dhe për akuza inekzistente, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket rastit Drenica 1 dhe 2, gjykata i ka anuluar aktygjykimet. Pas këtyre aktgjykimeve, askush nuk ka të drejtë t’i mbajë në paraburgim, as Sylejman Selimin e as Jahir Demakun, sepse kjo i shkel të drejtët e njeriut. Duhet të nxirret vendim për lirimin e Sylejman Selimit, për shkak të mungesës së aktakuzës. Sylejman Selimi është një prej personave që qëllimisht është sakrifikuar e që ne nuk e dimë arsyen”.
“Gjykata Mitrovicës me 8 gusht ka nxjerr vendim që menjëherë të lirohen, mirëpo kjo nuk është realizuar. Muajin e ardhshëm, në shtator, do të bëhen 5 vjet që Sylejman Selimi mbahet në burg pa asnjë aktgjykim të ligjshëm. Askund në botën e civilizuar nuk ndodh një gjë e tillë. Fajin kryesor e ka vetë Gjykata Supreme”, tha Gashi.
Sipas Gashit, dikujt po i shkon për shtati që Selimi të qëndrojë edhe më tej në burg.
“Dikuj i konvenon që Sylejman Selimi të mbetet edhe më tej në Dubravë, ndoshta prej karakterit të tij, sepse nuk mund të blihet nga ata që në Kosovë vendosin për gjithçka”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.