Javë më parë, ekipi i kategorisë së dytë zvicerane Aarau, publikoi lajmin e madh. Sulmuesi Shkëlzen Gashi, kishte pranuar ofertën e këtij klubi dhe kishte firmosur kontratë deri në verën e vitit 2023.
Si synimet e Aaraut, po ashtu edhe të Gashit janë të mëdha. Madje, 31-vjeçari synon që ta kthejë Aaraun sa më shpejt që të jetë e mundur në elitën e futbollit zviceran.
Gashi këtë vikend, pritet të debutojë tek Aarau në ndeshjen kampionale ndaj Stade Ls Ouchy, në udhëtim.
Me transferimin tek Aarau, Gashi është kthyer në futbollin zviceran pas gati katër vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, ka luajtur në MLS të SHBA-së, te skuadra Colorado Rapids, edhe pse vitin e fundit nuk është aktivizuar fare. Ai është lënë jashtë ekipit te Colorado, por nuk e ka shkëputur kontratën. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, Gashi ka zbuluar se ka mbajtur formën me trajner personal dhe ka insistuar se është plotësisht i gatshëm për të debutuar tek Aarau. Te kjo skuadër pati luajtur edhe gjatë edicionit 2011/12 dhe kishte shënuar 22 gola në 41 paraqitje.