Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, u takua me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.
“Duke shpresuar në themelimin e një bashkëpunimi të frytshëm dhe të mirë, ju dëshiroj mirë se ardhje si dhe ju uroj në detyrën tuaj të re. Padyshim që na presin aktivitete dhe organizime të shumta me të cilat së bashku do të mundemi që të përçojmë kulturën shqiptare në formën më të mirë”, u shpreh Kumbaro.
Nga ana tjetër, Gashi e njoftoi Kumbaron me planet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në fushën e ruajtjes të identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë, njëherësh duke falënderuar bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Kulturës.
“Bashkëpunimi gjithsesi do të intensifikohet ndërsa koncentrimi të jetë në projektin tashmë të njohur Ditët e Kulturës shqiptare në Diasporë ku koordinimi në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore është i domosdoshëm”, theksoi ministri i Diasporës.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të bëhet një plan i përbashkët i veprimit ashtu që në Vitin e Skënderbeut të realizohet një koordinim sa më i mirë me aktivitete që do të shërbejnë si pasaportë kulturore jo vetëm për bashkatdhetarët tanë por për të gjitha vendet dhe qytetarët e vendeve ku është prezentë diaspora jonë.