Pas deklarimeve të Kryetarit të LDK-së Isa Mustafa rreth modelit të diskutimeve LDK-VV, ka folur edhe deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij subjekti Arben Gashi.
Gashi në intervistë për “RADIO 1” ka deklaruar se në marrëveshjen qeverisëse VV-LDK, kjo e fundit do që gjithçka të jetë e baraspeshuar në marrjen e përgjegjësive.
“Marrëveshja e LDK-së me Vetëvendosjen do të bazohet në elementët që kanë të bëjnë më barazinë. Kjo sepse të dyja subjektet politike (LDK dhe VV) pothuaj janë të barabarta për nga rezultati zgjedhor. Pra gjithçka do jetë e baraspeshuar në marrjen e përgjegjësive. Pra ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Qytetarët janë ata të cilët kanë vlerësuar kështu.”
I pyetur rreth mundësisë së kontributit të tij ministror, në rast të arritjes së marrëveshjes qeverisëse me VV-në, Gashi ka thënë se për një angazhim të tillë do të flasë me kryetarin e partisë Isa Mustafën.
“Mendoj se kjo çështje akoma nuk është diskutuar në strukturat e partisë. Do të diskutojë me kryetarin e partisë z.Mustafa. Aty do shohim se ku do të jap kontributin tim dhe se çfarë mendohet të kërkohet nga unë.”-tha Arben Gashi i LDK-së.