Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) ka nënshkruar kontrata me katër organizata të shoqërisë civile nga Kosova, të cilët kanë marrë mbështetjen për organizimin e programeve të para të shkëmbimit të të rinjve, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi tha se të rinjtë e Kosovës janë të gatshëm të kontribuojnë për stabilitetin e rajonit. Por që sipas tij, pengesë mbetet mosliberalizimi i vizave.
“Është vërtetë shqetësuese për mua kur shoh numrin e vogël të aplikacioneve të cilat janë bërë në mes të Kosovës dhe Bosnjës Hercegovinës, pavarësisht faktit të regjimit të vizave nuk është pjesë e ministria që unë drejtoj dhe është shumë më komplikuar se aq, por megjithatë do ta adresoj në institucionet relevante dhe po ashtu do shikojmë të gjejmë alternativa që lehtësojnë lëvizjen e të rinjve të të dy vendeve”, shtoi Gashi.
Ai shtoi se RYCO synon të zhvillojë bashkëpunimin rinor, mirëkuptimin reciprok dhe shkëmbimin e eksperiencave në shërbim të forcimit të stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përparimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nënshkrimi i kontratave të para të RYCO është një dëshmi edhe më e madhe se kjo iniciativë është vërtetë premtuese edhe për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht sfidave me të cilat sekretariati i RYCO është përballur në vazhdimësi”.
“Askush nuk mund të mohoj faktin që zhvillimi dhe përmbyllja e thirrjes së parë për grante për një afat aq të shkurtër me resurse të limituara është suksesi i parë i prekshëm që nga korrik i vitit të kaluar ku dhe RYCO filloj zyrtarisht të operoj prandaj secili nga ne duhet të ndihet krenar për këtë”, tha Gashi.
Organizatat përfituese nga thirrja e parë e RYCO janë Play International, Era Group, Gaia dhe Better Life In Kosovo-BLINK.
Iniciativa e krijimit të RYCO u ndërmor në Samitin e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë me 27 gusht 2015, në kuadër të Procesit të Berlinit.