Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka intervistuar kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, raporton EkonomiaOnline.
Gashi para intervistimit kërkoi që të jetë ky proces i mbyllur, pasi që sipas tij, deklaratat që jep mund të përdoren në dëm të Telekomit.
“Duke pas parasysh se operatorët kanë një betejë të hapur do të ishte e dobishme që kjo seancë të ishte e mbyllur për medie”, ka thënë Gashi.
Ai tha se në arbitrazhin ndaj AXOS dy ish-ministra ishin pyetur rreth deklaratave të tyre në medie, prandaj sipas tij edhe për deklaratat e tij mund të ketë probleme.
“Deklarimet tona mund të keqpërdoren apo përdoren në dëm të Telekomit të Kosovës. Unë kam qenë pjesë e atij procesi dhe kam pa që dy ish-ministrave në gjykatën e Arbitrazhit u është kërkuar të dëshmojnë edhe për deklaratat për medie që kanë dhënë dhe ekziston rreziku i shkaktimit të dëmit të Telekomit”, tha ai.
“Unë jam i hapur dhe nuk kam asgjë për të fshehur”, shtoi Gashi.
Deputetët nuk e përkrahën kërkesën e tij sipas tyre nuk është e nevojshme të jetë intervistimi pa praninë e medieve sepse nuk e dëmton askënd.
Gashi tha se nuk ka ndonjë shembull për këtë rast, por duhet të u bëhet zgjidhje qytetarëve pa u ndërprerë atyre shërbimet.
“ARKEP ka konsideruar të arsyeshme që operatorët të mos kenë operator virtual, pas pranimit te informatave nga Telekomi ne kemi krijuar mbledhje dhe kemi vendos në mënyrë që me u trajtua shumë çështje të ftohen në takim Telekomi dhe ZMobile që të mos ketë shkëputje të shërbimit që klientët të mos mbesin pa shërbim dhe do të mundohemi të gjejmë mundësi tjera për vijim të shërbimit”, tha Gashi.
“Aktualisht titullar i klientëve është ZMobile, sepse ka kontratë me të, por kjo nuk e imponon gjithsesi bashkëpunimin në mes këtyre dy kompanive por nuk duhet bërë gabime që i shkaktojnë vendit”
“Gjasat janë që ZMobile të mos ketë vazhdim të shërbimeve, por duhet shikuar aspektet ligjore për kthimin e numrave, transferin etj, por gjitha këto në rregulloren e numeracionit janë të involvuara dy palët, nuk ka shembuj të ngjashëm në Evropë.
Gashi tha se janë 220 mijë klientë të cilët duhet t’u përcillet vazhdimësia për shërbimet.
Deputeti, Armend Zemaj për hezitimin e deklaratave të Gashit se mund të jenë të dëmshme tha se mund të jetë i kërcënuar nga dikush.
“Komisioni ka arrit të vë në sipërfaqe shumë shkelje të Telekomit nëse thoni që deklaratat ndikojnë më lë të kuptoj se ju jeni të shantazhuar dhe kërcënuar nga dikush”, tha ai
Gashi tha se nuk është i kërcënuar nga askush.
“Nuk jam i shantazhuar e kërcënuar nga askush, por nuk ka me pas zgjidhje magjike”, tha ai.
Gashi i tha Haxhiut se zyrtarisht nuk ka konflikt interesi në ARKEP nëse ai e di le të tregojë.
“Duhet zgjidhje e veçantë për Kosovën sepse nuk ka shembull për vijimin e shërbimeve që mund ta bëj vetëm operatori i rrjetit”
“Pronar i numeracionit është shteti, numrat jepen në shërbim të operatorëve”, tha Gashi.
Gashi tha se numrat i janë ndarë ZMobile me kërkesë të Telekomit.
Ymeri tha se sipas kësaj ZMobile ka të drejtë të gjithë këta numra t’i dërgojë tek operatori IPKO.
Deputetja Albulena Haxhiu, tha se dyhsojnë që shefi i ARKEP-it po punon në favor të ZMoblie.
Për këtë ajo numëroi disa argumente.
“Shumë prej deklaratave tuaj duken që janë në plotni në anën e ZMobile dhe kemi dyshime për punën tuaj që janë në favor të ZMobile. Vendimin 381 të ARKEP që ka qenë një dokument që ZMobile ka fituar rastin në Arbitrazh për 100 mijë numra dhe këtë vendim ju e keni modifikuar, si ka mundësi që një operatori virtuel i keni nda numeracion në vete”, tha Haxhiu.
Por, shefi i ARKEP-it mohoi këto akuza, duek thënë se nuk kanë marrë vendime në favor të ZMobile.
“Me u thirr në komision para se me u marr vendimi nuk ka kurrfarë logjike, nuk kam arsye me qenë i brengosur sepse ajo që thoni ju që ARKEP ka marr vendime në favor të ZMobile nuk qëndron. Në bazë të planit të numeracionit ARKEP ka drejtë të u ndaj numeracion, blloqet numerike ndahen për operatorët e rrjetit dhe virtual të shërbimit”, tha Gashi.