Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar qeverisjen aktuale për qasjen ndaj veteranëve të luftës, duke thënë se kjo e fundit nuk është e gatshme ta zgjidhë problemin e tyre.
Këto deklarime, Gashi i ka bërë përmes një statusi në Facebook, duke kërkuar një zgjidhje më gjithëpërfshirëse për veteranët e luftës, shkruan Demokracia.com.
“Qeveria nuk është e gatshme ta trajtojë në esencë çështjen e veteranëve që dhanë gjithçka për vendin. Sot, ata janë të detyruar që të lënë vendet e punës për të marrë një kompensim mëshire, duke mbetur pa shpresë dhe pa të ardhme. Zgjidhja për ta duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe përmbajtjesore”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka potencuar edhe nxjerrjen e 35 mijë njerëzve nga vendi i punës, si dhe largimin e kosovarëve për në vendet e huaja.
Postimi i plotë:
Qeveria nuk është e gatshme ta trajtojë në esencë çështjen e veteranëve që dhanë gjithçka për vendin. Sot, ata janë të detyruar që të lënë vendet e punës për të marrë një kompensim mëshire, duke mbetur pa shpresë dhe pa të ardhme. Zgjidhja për ta duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe përmbajtësore.
Rreth 35 mijë njerëz janë nxjerrë nga tregu i punës, duke i pasivizuar ata efektin ekonomik dhe social e kemi bërë negativ. Nuk duhet të harrojmë se, në njërën anë po na ikin njerëz nga vendi e në anën tjetër janë nxjerrë gjithë këta njerëz nga tregu i punës.
Tregu ka nevojë për fuqinë e tyre si dhe ata kanë nevojë për të përmirësuar cilësinë e jetës, sidomos në kushtet e krizave të cilat po jetojmë. Pra, ne duhet të merremi në esencë me problemin dhe jo ta pasivizojmë një pjesë vitale të shoqërisë.
Duhet të mendojmë që veteranëve të luftës dhe të gjitha kategorive sociale t’ju krijojmë mundësi të rritjes së mirëqenies, duke i bërë sa më aktiv në shoqëri.