Zyrtari i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se u.d e presidentit, Vjosa Osmani kishte qenë e pajtimit se Qeveria Kurti duhet të rrëzohet pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme.
Pas vendimit të Albin Kurtit për shkarkimin e Veliut, sipas Gashit ishte mbajtur një mbledhje e LDK-së ku e pranishme ishte edhe Vjosa Osmani.
Aty, Gashi thotë se ishin diskutuar dy opsione.
“E biseduam situatën, pasi që u shkarkua z.Veliu. Janë dy opsione të tërhiqemi ne nga Qeveria, ta mbanë qeverinë z.Kurti ta shohin populli se po rrezikohet Kosova se ai e ka marrë shumicën, e ka një deputet më shumë se na le te merr përgjegjësinë.Opsioni i dytë edhe pse është jo popullore, në kohë të pandemisë është shumë e vështirë me shpjegu te njerëzit. Shumë gjana nuk mund të thuhen në këtë kohë dhe duke e rrëzu Qeverinë të marrim dëmin elektoral për LDK-në”, ka thënë ai.Megjithatë, në fund ishte vendosur që të rrëzohet Qeveria.“Ka pas përkrahje të dyja opsioneve, në fund kemi dal me opsionin që duhet të marrim përsipër koston si LDK”, ka thënë Gashi mbrëmë në Kanal 10.
Ai shton se edhe vetë Osmani ishte e mendimit dhe përkrahëse që të rrëzohet Qeveria.“Zonja Osmani ka qenë e mendimit që duhet të rrëzohet Qeveria por të presim edhe pak për shkak të pandemisë, dhe përkrahëse se ka thënë se është e papranueshme që të shkarkohet nënkryetari i LDK-së dhe të kërcënohen raportet me SHBA-të”, tha ai.“Në mbledhjen që e kemi pas. Edhe për z.Veliu ka thënë se është e papranueshme shkarkimi i tij e ka thënë në mbledhje, pastaj kur e ka opinionin publik, se e pa që është njëfar simpatie me fol kundër Agim Veliut dhe e mori atë drejtim”, tha Gashi.