Rreth 50 për qind e punës ka rënë nëpër lokalet e gastronomisë shkak i intensifikimit të aksioneve të inspeksionit dhe gjobave për konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura, janë ankuar ponarë e menaxherë të lokaleve në kryeqytet, me të cilët bisedoi Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që të ndryshojë ky vendim.
Ata kanë arsyetuar se klientët që frekuentojnë këto vende janë kryesisht duhanpirës dhe se institucionet duhet ta lejojnë një pjesë për klientët që pinë cigare.
Muhamet Brajshori, menaxher në “CheBar” ka thënë për Ekonomia Online se Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë dhe pret që Ministria të marrë ndonjë vendim të ri.
“Po na dëmton shumë se ndikon direkt në produktet që i kemi. Na ndikon shumë. Presim ndonjë vendim të ri nga Ministria dhe shpresojmë ta ndryshojë. Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë, të shohim sa mund të ndikojë. Janë pakësu shumë klientët. Ka ndikim shumë të madh, 50 për qind mundet të ketë më pak klientë”, ka thënë ai.
Ndërsa Egzon Kaçiu, menaxher në “Derada” ka thënë se vendimi për ndalim të duhanit në ambiente të mbyllura është i arsyeshëm por që pret ndryshim nga Ministria. Ai pret që një pjesë e lokaleve të lejohet për klientët që pinë cigare.
“Sa i përket klientëve po vërehet shumë që u ndalu cigarja nuk po pihet, çdo restorant ka mungesë të klientëve dhe kështu që Ministria duhet me shqyrtua (këtë vendim), sidomos gastronomet e kanë më problem. Si çdo restorant tjetër edhe tek ne ka ndikuar mospirja e cigares, nëpër lokale është pak ma problem puna ka rënë pak më shumë klientët zakonisht shumica e janë duhanpirës”, ka thënë Kaçiu për EO.
“Ministria nuk e kanë edhe të lehtë se edhe ata duhet me ditë se çdo qytetarë duhet me ditë që cigarja nuk pihet në çdo vend duhet mu pi në vende të caktuar sikur në Evropë. Është vendim i arsyeshëm edhe mos mu pi pak për neve është problem. Ministria duhet ta tolerojë një pjesë, njërën pjesë të lokalit të pihet dhe njërën pjesë të mos pihet cigarja”, u shpreh ai.