Gati gjysma e britanikëve besojnë se Rusia ka ndërhyrë në referendumin e Brexit-it

Prishtinë | 26 Kor 2020 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Sipas një sondazhi, 49 për qind e britanikëve besojnë se qeveria ruse ka ndërhyrë në referendumin për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian, ndërsa 47 për qind besojnë se Rusia ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Rezultatet e këtij hulumtimi erdhën pas publikimit të raportit rreth ndërhyrjes ruse, të hartuar nga Komisioni për Inteligjencë dhe Siguri. Në këtë raport thuhet se qeveria britanike nuk ka bërë përpjekje për ta hetuar ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në referendum, duke shtuar se kërcënimi rus është nënvlerësuar keq.

Rreth 40 për qind e personave që morën pjesë në këtë sondazh besojnë se Rusia gjithashtu ka ndërhyrë në referendumin e vitit 2014 për pavarësinë e Skocisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, në këtë sondazh doli se epërsia e Partisë Konservatore ndaj Partisë Laburiste gjatë kësaj jave është përgjysmuar nga tetë në katër për qind. Konservatorët ranë për dy për qind në 42 për qind, ndërsa përkrahja për laburistët u rrit për dy për qind dhe shkoi në 38 për qind. Përkrahja për liberal-demokratët dhe për Partinë e Gjelbër mbeti e njëjtë.

Rënie shënoi edhe kënaqshmëria e qytetarëve me mënyrën se si qeveria e ka menaxhuar situatën me pandeminë. Përqindja e qytetërave të pakënaqur në këtë aspekt u rrit nga 43 për qind, sa ishte javën e kaluar, në 46 për qind.

Të ngjashme