Rezultatet pozitive të muajve të fundit kanë rikthyer entuziazmin te Milani, që tashmë është në zonën Champions të renditjes, ndërsa sot në mbrëmje do të luajë gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, përballë Lazios.
Trajneri Gattuso në një konferencë për shtyp ka folur për sfidën në “Olimpico” duke u bërë thirrje lojtarëve të tij të qëndrojnë me këmbë në tokë, pasi Lazio është një kundërshtar që mund t’u bëjë keq.
“Duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë maksimalisht sfidën pasi Lazio është një skuadër që luan një futboll të bukur, rivalizon në nivele të larta prej disa vitesh dhe mund të bëjë keq. Kupa e Italisë na mungon që nga viti 2003 dhe do të doja ta provonim këtë sezon, duke qenë se i kemi ardhur pranë”.
Shumë mendojnë se pikërisht blerjet e janarit, Paqueta dhe Piatek, kanë ndryshuar fytyrën e Milanit dhe kanë rikthyer entuziazmin në dhomat e zhveshjes së kuqezinjve, por edhe mes tifozërisë, por i këtij mendimi nuk është Gattuso.
“Meritë e tyre që po bëjnë mirë, por më tepër meritë e skuadrës, që po luan maksimalisht e përqendruar. Të gjithë e kanë kuptuar çfarë kërkohet prej tyre dhe po bëjnë si duhet detyrën në fushën e lojës. Piatek po shënon shumë, por mos harroni, kemi pësuar vetëm dy gola në javët e fundit”, ka deklaruar trajneri i Milanit./ Top Channel