E përditshmja austriake “Der Standard” i ka kushtuar një artikull fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Artikulli fillon duke treguar që kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti fitoi famë si një nga udhëheqësit e protestave studentore kundër Sllobodan Millosheviç në fund të viteve 90’-ta.
Lëvizja Vetëvendosje përshkruhet si një lëvizje aktiviste që kritikoi ashpër si politikën kombëtare ashtu edhe administratën ndërkombëtare të vendit.
Nga fitorja e Vetëvendosjes, “Der Standard” shkruan se akterët ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë do të jenë më pak të kënaqur.
Pasojat për politikën e jashtme të Kosovës!
Në vitin 2011, ambasadori francez në Kosovë e përshkroi një veprim të VV-së në Mitrovicë si “fashist”.
Pasi aktivistët e kësaj partie bllokuan hyrjen në parlament në vitin 2013 për të parandaluar votimin mbi një marrëveshje me Serbinë, ambasada e SHBA-së prej kohësh refuzoi të takonte përfaqësuesin e VV-së.
Gjatë aksionit para parlamentit, ambasadorja e atëhershme e SHBA-së, Tracey Ann Jacobson, u sulmua fizikisht.
Në 2015, VV-ja hodhi gaz lotsjellës në parlament për të ndaluar një votim për të tërhequr kufirin me Malin e Zi.
Edhe nëse pozicionet dhe toni i VV-së janë bërë më të moderuara në vitet e fundit, qeveria e re e Kosovës nuk do të jetë një partner i lehtë për BE-në dhe SHBA-të, veçanërisht kur bëhet fjalë për negocimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që është një kusht kryesor për BE-në për të filluar negociatat e pranimit të Kosovës.
Ambasadori aktual i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, kohët e fundit është përpjekur shumë për të kundërshtuar çdo deklaratë në vend që shprehet në favor të bashkimit me Shqipërinë – një pozicion i VV-së.
Si po reagon Bashkimi Evropian?
Mbetet për t’u parë nëse BE-ja do të shtojë përpjekjet e saj për të arritur marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Përpjekjet nga BE-ja për të intensifikuar dialogun midis dy vendeve kanë sjellë pak sukses në vitet e fundit.
Në fjalimin pas zgjedhjeve, Kurti tha se negociatat me Serbinë nuk do të ishin në listën e përparësive të tij.
Përkundrazi, çështjet politike të brendshme, veçanërisht krijimi i vendeve të punës, duhet të jenë në plan të parë.