Bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër, kanë rrëfyer për gazetën “Blick”, eksperiencën e tyre gjatë pushimeve në Kosovë.
Luan F., ka thënë se në Kosovë askush nuk iu ka përmbajtur rregullave për t’u mbrojtur nga coronavirusi, dhe për këtë tregon se ai dhe gruaja e tij ishin infektuar gjatë pushimit në Kosovë.
Tutje ai tregon se kunati i tij po ashtu i infektuar me COVID-19, është i shtrirë në spital në Prishtinë, dhe vazhdimisht ka nevojë për oksigjen.
“Na u desh të vuanim për një javë. Gruaja ime dhe unë kishim Corona. Dhemb kudo! Tani jemi kthyer në Zvicër. Kunati im është ende në spital në Prishtinë dhe ka nevojë për oksigjen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, thotë bashkatdhetari në një intervistë për Blick.
Tutje Blick, raporton se pak para pushimeve verore, Qeveria e Kosovës hoqi pothuajse të gjitha masat anti-COVID.
“Aeroporti në Prishtinë ishte aq i ngarkuar këtë verë sa kurrë më parë. Vetëm në korrik, 446,340 pasagjerë zbarkuan në Prishtinë – dy herë më shumë se në vitet para pandemisë”.
Gazeta zvicerane përmend lejimin e dasmave, ahengjeve familjare e klubeve të natës, të cilat shndërruan Kosovën në një arenë të “lulzimit” të virusit.
“300 të ftuar në dasmë – askush nuk mbante maskë. Shumë njerëz erdhën në Kosovë nga jashtë,” thotë Luan F, i cili kaloi dy muaj në vendlindje.
“Dasma këtu, dasma atje, rrugët ishin plot”, u shpreh ai.
Deklaratat korrespondojnë me përvojat e lexuesve të tjerë.
Arjeta L., fluturoi për në Prishtinë për dasmën e një shoqeje. Ajo tregon se masat higjienike u injoruan gjatë verës në Kosovë.
“Kishte 300 mysafirë, shumë prej tyre nga Zvicra. Unë nuk kam parë një person të vetëm të ketë vendosur maskë. Distanca as që vinte në shprehje”, tha ajo