Jo vetëm rasti i fundit, mes Ramush Haradinajt dhe koleges Kaltrina Zymberi, meriton të trajtohet me shumë përgjegjësi dhe me një motiv edhe më të madh për ta inkurajuar gazetarinë e pyetjeve të pakëndshme, por komuniteti i gazetarëve duhet të motivojë çdo gazetar, qoftë i ri apo i vjetër, për të luajtur rolin e tij, kudo që ndodhet. Gazetarit dhe gazetarëve u lejohet të bëjnë pyetje të pakëndshme, u lejohet të mos ia qëllojnë apo siç e themi ne profesionistët ”të bëjnë pyetje që nuk është pyetje”, u lejohet të bëjnë nervoz dhe ta dekoncentrojnë një politikan a kryeministër. Pse ky privilegj? Sepse gazetarët këtë punë kanë, këtë profesion e zanat ushtrojnë çdo ditë. S`kanë obligime tjera dhe s`kanë asnjë arsye të ndihen në siklet që po “terrorizojnë” një politikan apo ndonjë zyrtar të lazdruar.
Konferencat zyrtare, ku pyetjet e gazetarit dhe përgjigjet e politikanëve apo zyrtarëve të lartë, shihen “live”, nganjëherë e kanë sikletin e dyanshëm. Pyetjet e pakëndshme që shpesh politikanët i urrejnë, janë momentet më të mira, kuptohet për gazetarët inteligjentë dhe ata që hulumtojnë tema të mëdha, që të marrin përgjigje në hapësira publike.
Nga përvoja ime kam parë që edhe politikanët, edhe gazetarët, shpesh parapëlqejnë që temat e ndjeshme t`i diskutojnë në situata më private. Tani rasti me Kaltrina Zymberin është vërtet për keqardhje, meqë Ramush Haradinaj, duke e njohur të gjithë kapacitetin e tij të shkollimit, jep leksione e ligjërata se çka duhet të lexojnë e të mësojnë gazetarët.
Problemi më i vogël sot për një gazetar, është të bëjë një pyetje të drejtpërdrejtë. Problemi kryesor mbetet se kush do t`i jap përgjigje asaj pyetje. Shumica e politikanëve tanë janë mësuar që mediat të jenë servile dhe pse jo edhe në shërbim të tyre. Ama, një gazetar duhet të ruaj kriterin profesional dhe etik edhe atëherë kur politikani mendon se e ka mik dhe nuk sheh rrezik nga ai. Ky edhe është gabimi më i madh i këtyre politikanëve.
S`kam asnjë dilemë se në rastin konkret, gazetarja nuk bëri as gabimin më të vogël, sikur që nuk e kam asnjë dilemë se Kaltrina bëri pyetjen e duhur. Trajtesa ime lidhet me reagimin e pavend dhe shumë të ulët të Ramush Haradinajt.
Ramushi duhet ta kuptojë se mediat dhe gazetarët nuk janë raste sociale dhe nuk janë as pensionistë. Ata janë gazetarë për të bërë pyetje, për të thumbuar kryeministrin, ministrat, zyrtarët e lartë. Gazetarët këtë punë kanë dhe këtë profesion ushtrojnë. Kryeministri vetëm duhet të jap përgjigje, ose edhe të heshtë. Ky është problem i tij.
E keqja është se kohëve të fundit, është krijuar një aversion i padrejtë ndaj gazetarëve dhe kjo kryekëput nga rrjetet sociale. “Gazetarët rrejnë, mirë po ua bëjnë, mbylleni gojën, jeni edhe ju matrapazë” – këto janë komentet e shumta që has nëpër rrjetet sociale të njerëzve të kategorive të ndryshme.
Kjo, gjithsesi që nuk qëndron, sepse gazetarët jetojnë nga djersa e tyre. Ata kanë të drejtë të trajtojnë temat më të ndjeshme, më të panjohura për publikun, më të pakëndshme për ndonjë parti a lider.
Personalisht mendoj se rasti i Kaltrina Zymberit duhet të na jap forcë edhe më të madhe dhe motiv shtesë që zyrtarët e lartë t`i “bombardojmë” me pyetje të pakëndshme, duke shmangur pyetjet protokollare dhe shpesh të mërzitshme edhe për publikun.
Gazetari ka të drejtë ta pyes kryeministrin edhe sa të holla i ka në xhep për momentin. Llogariteni se si do të ishte ndier një politikan yni sot, po t`i bëhet kjo pyetje. Ose, nëse do e pyesni cilin libër e keni lexuar të fundit, apo sa gazeta ditore botohen në Kosovë etj. etj.
Gazetarët e mirë, të aftë profesionalisht, të përkushtuar, të njohur dhe me autoritet, të qëndrueshëm në profesion, janë shenja të mira në edukimin e publikut, në edukimin e politikanëve ndaj sjelljeve të tyre.
Jam i sigurt se incidenti i fundit i Ramushit, duhet t`i vlejë atij si një shembull që në të ardhmen të mos ngacmojë “grejzin” sepse ai nuk të fal.
Ramush, kësaj radhe gabove dhe mos ngacmo aty ku nuk duhet dhe ku nuk ke aspak nevojë. Gazetarët janë miq të mirë dhe mund të jenë edhe afrues e bashkëpunues, ama kurrë mos harro se ata nuk e tradhtojnë profesionin e tyre!.