Në protestën e djeshme të Partisë Socialdemokrate (PSD) në Prishtinë kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, janë sulmuar edhe gaztarët.
Lidhur me këtë çështje, përmes një lidhjeje direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se ishin të befasuar me shkallën e brutalitetit të Policisë së Kosovës kundër gazetarëve, kameramanëve dhe puntorëve tjerë medial.
“Ne gjithmonë ju bëjmë thirrje gazetarëve që të identifikohen në mënyrë të qartë. Në raste të tilla, nëse kanë dhe duhet të kenë të gjitha mediat një jelek që shkruan “PRESS” ose emri i medias, në mënyrë që të identifikohen, të mos bëhen pjesë e turmave, pjesë e protestuesve”, ka thënë Rexha.
Rexha ka thënë se kjo është e papranueshme dhe e dënueshme, sjellje joprofesionale, e po ashtu dhe pengim i puntorëve medial të kryejnë punën e tyre.
“Mbrëmë u kemi bërë thirrje publike Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) dhe zyrtarisht do të kërkojmë nga ta dhe ata menjëherë kanë ndërmarrë masa për t’i hetuar, për t’i bërë hetimet e nevojshme, për t’i përdorur të gjitha videot, fotografitë, që tregojnë se disa prej policëve i kanë kaluar autorizimet e tyre dhe që ata të hetohen dhe të merren masa disiplinore ndaj tyre”, ka thënë kryetari i AGK-së.
Rexha është shprehur se ajo që ka ndodhur mbrëmë nuk guxon të përsëritet përsëri sepse sipas tij, është e patolerueshme.