“Gazetaria nuk po bëhet e dalë mode. Po bëhet më e ndërlikuar” – (Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel)
Secili mund të bëhet media. Bota e gjerë e internetit ka ofruar mundësinë që secili të prodhojë dhe të botojë. Më nuk ka nevojë të priten lajmet e orës së ardhshme ose të mbrëmjes e aq më pak numrat e së nesërmes të gazetave, për të mësuar informacionet më të reja.
Çdo dëshmitar okular si qytetar i interesuar për të shpërndarë informacion shndërrohet në gazetar nga cilado ngjarje ku qëllon rastësisht. Me shpenzime minimale, pa nevojë për redaktim, pa kaluar nëpër asnjë filtër të përzgjedhjes të mediave tradicionale, çdokush arrin tek të tjerët përmes mundësive të pafund të plasimit dhe shpërndarjes së informacionit në internet.
Përcjellja e mesazhit dhe komunikimi janë bërë më të lehtë. Distancat gjeografike janë reduktuar. Çdokush që ka diçka për të thënë dhe informacion për t’u dhënë të tjerëve – ka në dispozicion mënyra të shumta për ta bërë këtë, kudo dhe me një shpejtësi të madhe.
Studiuesit e cilësojnë “revolucion dixhital”, “epokë e shoqërisë së informacionit”, “epokë postgutenbergiane”, e krahasojnë me “cunami”, të përmasave të papara në historinë e zhvillimit të mediave, që ka prekur modelet e funksionimit të atyre që tani më cilësohen “media tradicionale”.
Vlerat e konsoliduara të gazetarisë ndodhen përball sfidave të reja të epokës së ueb-it. Nga prodhimi i lajmeve shumë media të shekullit XX janë bërë vet lajm. Disa janë shuar, të paafta për të përballuar revolucionin, të tjerat janë konverguar, duke sprovuar veten në platformat e reja. Peizazhi mediatik ka ndryshuar.
Audienca, po ashtu, ka ndryshuar. Gazetaria po bëhet më e ndërlikuar, vlerësojnë studiuesit e mirënjohur.
Në botën e infobezitetit
Fillimi i shekullit XXI shpalos tablonë tërheqëse dhe intriguese. Platformat e internetit kanë krijuar mundësitë e pakufishme të hapësirës publike virtuale, duke e shndërruar në parakusht për realizimin e plotë të lirisë së të shprehurit.
“Oreksi për informacione dhe për të kuptuar asnjëherë s’ka qenë kaq i madh, qasja në informacione s’ka qenë asnjëherë kaq e lehtë; mjetet shumëfishohen, personalizohen, barten; njohuritë shpërndahen, interneti shpaloset, pengesat bien, botë të tjera – virtuale – krijohen.
Në këtë fillim të shekullit XXI po përvijohet një epokë e re, e artë – ajo e informacionit”. Kjo epokë e re, sfidat kryesore të përvijimit të së cilës analizon studiuesi Eric Scherer, karakterizohet nga shumësia e përmbajtjeve të informacionit dhe kanaleve për përcjelljen e tyre.
Mediat tradicionale, ashtu si i njihnim, janë shndërruar në histori të shekullit XX. Kufijtë ndërmjet shtypit, radios dhe televizionit, janë zbehur. Ndërkohë, kanë lindur media të tjera në linjë, që ende cilësohen media të reja.
Shumësia e kanaleve të transmetimit dhe lehtësia për të shpërndarë përmbajtje, ka shlinearizuar informacionin. Në botën virtuale kanë lindur audienca të reja aktive në procesin e prodhimit të informacionit. Nuk ka më monopol të mediave në epokën e re të informacionit. Ka filluar të përdoret koncepti i qytetarit – gazetar.
Shoqëria e informacionit është shoqëri gjithprodhuese, në të cilën, siç vlerësojnë studiuesit, “informacioni ka rënë në duart e publikut”.
Pa ndërprerje dhe në çdo kanal, bartet informacion, qoftë në formën e lajmit, apo si rezultat i komunikimit; qoftë përmes mediave tradicionale, qoftë përmes faqeve personale dhe rrjeteve sociale në linjë. Nuk ka më informacion të mjaftueshëm, por mbibollëk të informacionit (infobezitet).
Derisa gazetari të arrij në vendngjarje, rrjetet sociale do të jenë të mbushura me fotografitë, videot, apo zërat nga ngjarja në zhvillim e sipër, të shoqëruara edhe me informacion të shkruar.
Qytetari raportues, siç e cilësojnë studiuesit, Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel, dëshmitarin okular dhe të vëmendshëm e të vullnetshëm, është më i shpejt në shpërndarjen e informacionit.
Mjetet e tij janë më të thjeshta se sa ato të mediave masive dhe cilësia e raportimit e pakrahasueshme me atë të gazetarit, mirëpo, gjithsesi ai tani më ka një rol në shoqërinë e informacionit dhe komunikimit. Ky rol duhet marr parasysh për ndikimin që ka. Ai është i shumëfishtë.
Herë ndikon në pasurimin e informacionit dhe herë të tjera – në mbytjen e informacionit përmes informacionit.
“Secili nga laptop-ët, tabletët dhe smartfonët, përmban tashmë më shumë fuqi informuese se sa mbarë sallat e redaksive të njëzet vjetëve më parë”, vëren Scherer, duke shtruar që në titullin e librit të tij pyetjen e madhe, intriguese dhe të frikshme për botën e konsoliduar të gazetarisë: “A na duhen më gazetarët”?
Kësaj fuqie informuese i mungon kanalizimi dhe hierarkizimi. Mbibollëku nuk shkon paralelisht me cilësinë. Shumë informacion përveç të mirës për mundësitë e mëdha të zgjedhjeve, ka edhe anën tjetër ku gërshetohen: ndërlikimi dhe humbja e qartësisë.
“Kemi nevojë për të vënë rregull në këtë kaos”, këmbëngul Scherer dhe vazhdon argumentimin se shumëfishimi i burimeve dhe transmetuesve, i rënduar nga hovi i internetit, e ka shtuar kompleksitetin dhe konfuzionin”.
Shtimi i kompleksitetit nuk kënaq njeriun dinamik, gjithnjë të zënë dhe me kohë të pamjaftueshme të fillim shekullit.
Thjeshtësimi, qartësia dhe informacioni në formën e dijes së dobishme paraqiten si kërkesa të domosdoshme në epokën e infobezitetit.
Përse na duhen gazetarët?
Peizazhi i ri mediatik i krijuar nga interneti ka ndikuar që të shtrohen pyetjet e mëdha, të padiskutueshme ndonjëherë më parë në historinë e gazetarisë: a na duhen më gazetarët dhe nëse po – përse?
Nëse çdokush është në gjendje të prodhojë informacion; nëse mesazhmarrësi shndërrohet në mesazhdhënës që lehtësisht hyn, bëhet pjesë dhe zotëron një ose disa kanale të komunikimit, nëse nuk ka më nevojë për medium për të përcjell mesazhin – informacion, atëherë përse na nevojiten gazetarët?
Punën e tyre e kryen i – Reporteri i vullnetshëm dhe pjesëtar aktiv i hapësirës publike virtuale. Konkluzioni i tillë është i ngutshëm. Gazetarët i duhen këtij peizazhi. Infobeziteti i internetit nuk e zbeh rolin e tyre.
“Zgjidhja për infobezitetin është gazetaria”, argumenton fuqishëm Scherer. Por, çfarë gazetarie dhe çfarë gazetarësh? Ai e cilëson “gazetari me vlerë të shtuar”. Studiues të tjerë e cilësojnë “gazetari tjetër – gazetari e re” që përfshin edhe ndryshimin e statusit të gazetarit dhe transformimin e tij në “gazetar shumëdetyrash”.
WikiLeaks është shembull i thjesht dhe domethënës. Mijëra kabllograme të mbushura me informacion të papërzgjedhur i ofrohen secilit që ka qasje në internet.
Vlera dhe ndikimi shoqëror e politik i këtij informacioni është i jashtëzakonshëm. Por, “vlerën e shtuar” e mori vetëm nga gazetaria e ushtruar nga mediat e konsoliduara tradicionale dhe gazetarët e redaktorët e sprovuar në misionin e gazetarisë si dobi publike.
Informacioni u përzgjodh, u vlerësua profesionalisht, iu nënshtrua parimeve të domosdoshme etike, u bë i lexueshëm dhe i kuptueshëm nga audienca.
“Konsumatori nuk do më mbibollëk, tepri. Ai nuk do më shumë informacione, ai dëshiron që t’i thjeshtohet jeta. Ai është kërkues i këtij funksioni thelbësor të shtypit: hierarkizimi i informacionit. … gazetari është i vetmi që është i stërvitur profesionalisht për të gjetur, verifikuar dhe vlerësuar informacionin… ai di mirë t’i riformulojë faktet bruto në mënyrë të kuptueshme, të thjeshtë, tërheqëse dhe t’u shtojë atyre kontekstin që është i domosdoshëm sot”.
Gazetaria në këtë formë argumentimi nga Scherer fiton vlerën e saj të shtuar dhe gazetarët kanë “asin kryesor” në duart e tyre. Shoqëria, ndërkohë, përfiton informacionin e dobishëm dhe cilësor si bazë për funksionimin e saj.
Parimet e konsoliduara është e nevojshme të barten tek mediat e reja, përmes kanaleve të shumëfishta që ofron interneti. Pas periudhës së kaosit dhe euforisë së krijuar nga risia – vjen periudha e reflektimit dhe kërkimit të vlerës.
Vlera e shtuar e gazetarisë
Vlera gjendet tek profesionistët. Bartësit e “vjetër” të misionit të dobishëm për shoqërinë ridalin në skenë. “Në një kohë kur shtypi nuk është më një monopol, ai duhet ta fitojë autoritetin e tij duke siguruar dije”.
Studiuesit e mirënjohur të gazetarisë, Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel, i risjellin të përshtatura për epokën e internetit vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur gazetaria.
“Si ta gjejmë të vërtetën në epokën e mbingarkesës së informacionit?”- kësaj pyetjeje të madhe, të shtruar tek libri “Flu”, ata i përgjigjen me njërin nga “adutet” kryesore të gazetarisë së “vjetër”.
Forca e verifikimit është fuqia e gazetarisë në epokën e internetit.
Vetëm gazetari i përgatitur për të ushtruar misionin e kontrollit të pushteteve tjera në shoqëri, me aftësinë e tij për të përzgjedhur në morinë e fakteve për t’i verifikuar ato dhe për t’i shndërruar në vlerë me dobi shoqërore, është në gjendje t’i përmbush nevojat e thjeshtësimit në shoqërinë e mbingarkuar me informacion.
Vlera e dobisë së përgjithshme të informacionit rritet me vendosjen e tij në kontekst dhe trajtim në thellësi, në funksion të kërkimit të së vërtetës ekzistuese dhe të arritshme. Pyetjet elementare të gazetarisë së shekullit të kaluar, ruajnë peshën e tyre, vetëm se tani vlera e shtuar e gazetarisë së re anon kah trajtimi cilësor dhe jo kah furnizimi me informacion.
Roli i gazetarit si ndërmjetës në përcjelljen e informacionit, është zbehur, por ka mbetur vlera e përmbajtjes. Ajo bën dallimin ndërmjet informacionit lehtësisht të arritshëm dhe cilësisë e dobisë nga ai.
“Në të ardhmen shtypi do ta fitojë integritetin e vet nga lloji i përmbajtjes që do të shpërndajë, dhe cilësia e angazhimit të tij, por jo nga roli i tij ekskluziv si furnizues i vetëm i informacionit ose si ndërmjetës mes lajmbërësve dhe publikut” , vlerësojnë Kohach dhe Rosenstiel.
Gazetaria e shekullit të ri duhet të përpunojë modele të reja dhe t’u përshtatet audiencave gjithnjë e më aktive, të cilat e kanë marrë edhe rolin e furnizuesit me informacion. Media të fuqishme botërore tanimë e kanë bërë pjesë të raportimit qytetarin raportues.
Qytetari i pajisur me teknologjinë personale që ia mundëson raportimin sado modest, nuk është burimi i dikurshëm të cilin duhej kërkuar dhe gjetur.
Tani ai është më i hapur dhe i gatshëm për të kontribuar në përhapjen e informacionit që ka.
Koncepti i audiencës aktive dhe të gatshme për të kontribuar me informacion nga vendngjarje në rastet e fatkeqësive natyrore, aksidenteve, konflikteve etj., ka ndikuar në krijimin e raportit të ri ndërmjet mediave masive dhe pjesëtarëve të audiencës, në rolin e qytetarëve raportues.
Audienca, zakonisht, ka shumë informacion. Tani ka edhe shumë aftësi për ta përcjell atë. Mediat e mëdha kanë krijuar mundësi dhe hapësira të veçanta të partneritetit me audiencën. Informacioni i përfituar nga qytetari raportues mund të jetë i dobishëm.
Me vendosjen e tij në kontekst dhe përshtatjen e tij për transmetim nga ana e gazetarëve e redaktorëve, ai i kthehet audiencës në formën e dijes me dobi publike. Mirëpo, shtimi i informacionit, sipas Kovach dhe Rosenstiel, e ka vështirësuar më shumë përpunimin e tij për ta kthyer në dije. Puna për gazetarët nuk është bërë më e thjeshtë.
Përkundrazi. Gazetaria mbahet përgjegjëse për ndikimin që ka përmbajtja e saj në shoqëri dhe audienca. Gazetaria kryen funksionin e të mirës publike. Si e tillë, nga ajo kërkohet më shumë përqendrim tek raportimi cilësor. Ky mision i vjetër vazhdon t’i jap kuptim dhe të bëj dallimin ndërmjet informacionit gazetaresk dhe atij që vjen nga pjesëmarrësit tjerë në komunikimin në internet.
Në epokën e mbingarkesës dhe mbibollëkut me informacion, gazetaria dhe gazetari duhet t’u përshtaten mënyrave të reja të përcjelljes së përmbajtjes përmes kanaleve të shumta tek mesazhmarrësi.
Njëkohësisht, është gazetari e jo qytetari raportues dhe komunikuesi në rrjetet shoqërore që me përpikëri duhet të zbatojë dhe të ndikojë në avancimin e vlerave profesionale dhe etike gazetareske. Janë këto vlera që e bëjnë dallimin e madh cilësor, të domosdoshëm, për shoqërinë e informacionit.
Interneti nuk shënon fundin e gazetarisë. Revolucioni dixhital shënon kthesën drejt një gazetarie ku përshtaten parimet e vlerat e konsoliduara të përmbajtjes me shumësinë e kanaleve për kryerjen e misionit të saj shoqëror.
(Autorja është gazetare dhe pedagoge për Media dhe Komunikim në Kolegjin UBT në Prishtinë)