Gazetari që raporton për sektorin e shëndetësisë, Bujar Vitija, ka hapur temën nëse foshnja e gruas shtatzënë, e cila u vra mbrëmë para QKUK-së, ka mundur të shpëtohej.
Në një bisedë me Ekonomia Online, Vitija ka dhënë një shembull se si mjekët kishin arritur ta shpëtojnë një foshnjë nëntëmuajshe që gjendej në barkun e një nëne, pasi ajo ishte qëlluar tragjikisht me armë në Detroit të ShBA-së, në vitin 2013.
Sipas tij, nuk ka informata të sakta nga QKUK-ja se si kanë reaguar mjekët.
“Është një rast i dhimbshëm, një rast tragjik dhe një vrasje makabre e një gruaje shtatzënë bashkë me foshnjën e saj. Sigurisht që është një rast që nuk do duhej të ngritnim dilema sa i përket angazhimit të mjekëve, mirëpo nuk është se i kemi informatat e sakta nga QKUK-ja. Pra pyetja legjitime në këtë rast që po shtrohet është nëse së paku ka mundur të intervenohet për shpëtimin e foshnjës së nënës së vdekur”.
“Ka raste të raportuara në botë që raste të ngjashme kur nëna qëllohet me armë dhe me këtë rast dhe këtë rast është shpëtuar foshnja. Në këtë rast nuk është bërë asnjë përpjekje për ta shpëtuar foshnjën dhe ne nuk e dimë si është konstatuar vdekja e foshnjës”, tha Vitija.