Dërgimi i trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në misionin stabilizues në Gaza po vlerësohet si vendim i qëlluar nga ekspertët e sigurisë, të cilët theksojnë rëndësinë e këtij angazhimi si për profesionalizimin e forcës, ashtu edhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Eksperti i Sigurisë dhe ish-ushtaraku, Hysen Gecaj në intervistë për Ekonomia Online sqaroi se ushtarët e FSK-së nuk është paraparë të shkojnë në zonat e luftës por kur të ndërpriten luftime.
“Më së pari duhet të theksoj se nuk është paraparë që ushtarët e FSK-së të shkojnë në zonat e luftës. Mirëpo, është paraparë që kur të ndërpriten ato luftimet, ata të jenë pjesë e kontingjenteve për ruajtjen e paqes, për mirëmbajtjen e paqes, një paqes që do të duhej të arrihet. Dhe kjo automatikisht e zvogëlon rrezikun për pjesëtarët e FSK-së që të jenë të involvuar drejtpërdrejt në luftime”, tha ai.
Eksperti potencoi se kjo nismë i ndihmon Kosovës në forcimet e lidhjeve miqësore me shtetet e fuqishme.
“Natyrisht që edhe në situata paqeje nuk nënkupton që është situatë tërësisht e qetë, mund të ketë probleme, por nuk janë të karakterit të luftës. Kështu që kjo është një mundësi e mirë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sepse aty do të arrihen përvoja të reja për pjesëtarët e FSK-së, të cilët kanë bërë trajnime të shumta dhe janë përgatitur për situata të tilla. Kështu që kjo, përveçse i ndihmon pjesëtarët e FSK-së, në fakt është një mundësi e mirë edhe për vetë Kosovën si shtet, si republikë e re, për shkak se i forcon lidhjet miqësore me shtetet e fuqishme, siç është Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa të tjerë që janë pjesë e këtyre kontingjenteve”, theksoi Gecaj.
Gecaj potencoi se përvojat e arritura deri më tani do të rrisin kredibilitetin e forcës.
“Dhe në këtë aspekt mund të themi që përvojat që kanë arritur edhe nënoficerët, edhe ushtarët dhe oficerët e Forcës së Sigurisë do të aplikohen në terren dhe kjo vetëm sa e shton dhe rrit kredibilitetin e kësaj force, e cila ka një zhvillim të mirë në kuptimin profesional. Edhe pse nuk ka përfunduar cikli i saj i përmbushjes së kapaciteteve të plota përfundimtare sipas planeve që janë të parapara, megjithatë janë disa njësi që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në Gaza”, u shpreh Gecaj.
Vendimin e tanishëm, eksperti e cilësoi si moment të duhur.
“Po, këto raste nuk jepet mundësia sa herë që ti do dhe ke nevojë, por këto raste si mundësi i kemi atëherë kur ka kriza të tilla siç ka ndodhur në këtë rast në Gaza. Prandaj, mendoj që është në një moment të përshtatshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Kosovën në përgjithësi për shkak të momenteve politike që po i përjetojmë si shtet. Por edhe për shkak se agjendat e mbrojtjes dhe sigurisë në botë po ndryshojnë me një shpejtësi të madhe, marramendëse, dhe pikërisht ky moment është që e ndihmon edhe Forcën e Sigurisë që të përshtatet me rrethanat e reja, me ato kapacitete që i ka”, shtoi eksperti.
Ndërsa eksperti i Sigurisë, Drizan Shala për Ekonomia Online u shpreh se një vendim i tillë e stabilizon Kosovën drejt NATO-s.
“Sa i përket çështjes së vendimit nga ana e presidentes së vendit që, në kuadër të një misioni paqeruajtës në Gaza, të dërgohen pjesëtarë të FSK-së, unë mendoj që në aspektin profesional e dëshmon faktin që Kosova tanimë mund të ndërveprojë me forca ndërkombëtare. Dhe një mision i tillë e garanton dhe stabilizon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s”, theksoi ai.
Shala nënvizoi se dërgimi i trupave garanton profesionalizimin.
“Sipas të gjitha gjasave, në kuadër të këtij misioni është një garancë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe ushtria e saj, pas përmbushjes së planit 10-vjeçar, të jetë pjesë përbërëse e NATO-s, pra jo më larg se viti 2028. Pra, mbi këtë bazë mund të konstatojmë një fakt, që bashkërendimi dhe bashkëpunimi dhe dërgimi i trupave tona atje nuk e minimizon, nuk e dëmton kredibilitetin, funksionalitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sepse ne kemi marrë garanca që pjesën mbështetëse logjistike për dërgimin e forcave tona atje dhe mirëmbajtjen e tyre në një mision të tillë paqeruajtës, humanitar, do të garantohet dhe do të mbulohet nga marrëveshja dypalëshe me Gardën e Ioëa-s. Por njëkohësisht do të kemi edhe mbështetje nga Departamenti i Luftës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe me këtë gjë ne e garantojmë profesionalizmin, e garantojmë rrugëtimin e Kosovës drejt mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë”, u shpreh Shala.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në takimin e parë të Bordit të Paqes njoftoi se Kosova dhe Shqipëria do të kontribuojnë me trupa për stabilizimin e Gazës.
FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza, pas dy misioneve të mëparshme që konsiderohen historike për këtë forcë.
Ky do të jetë misioni i saj i tretë jashtë vendit, pas angazhimit të trupave në Kuvajt, përkrah forcave amerikane, dhe atij në Ishujt Falkland, përkrah Mbretërisë së Bashkuar.
Në anën tjetër, ende nuk dihet se sa trupa të FSK-së do të dërgohen në këtë mision, cilat do të jenë detyrat operative brenda ISF-së dhe cila njësi do të angazhohet. Poashtu mbetet e paqartë edhe kohëzgjatja e këtij misioni.

