Bajram Gecaj nga LDK-ja iu është kundërpërgjigjur Nexhat Dacit dhe Halil Matoshit ndaj deklaratave të tyre se të tjerët nuk kanë të drejt t’i përzihen PAN-it për emrin e kryeparlamentarit.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk është shtëpia e Kadri Veselit.
“Gabojnë Matoshi e Daci”, thotë Gecaj.
“Para disa ditësh Halil Matoshi, e tani edhe Nexhat Daci, thonë se nuk është “as e drejtë as e moralshme” ti tregojmë PAN-it se kush duhet të jetë kryeparlamentar. Madje madje, ata shkojnë edhe më larg duke na sugjeruar se nuk mund t’ua diktojmë atyre “zotin e shtëpisë së tyre”.
“Por duket të harrojnë këta kushtin e dytë e të qenurit kryeparlamentar…pra, nevojën e konsensusit të 61 deputetëve, pasi që nuk parasheh kushtetuta që kryeparlamentari zgjidhet automatikisht atë moment kur propozohet nga grupimi më i madh”.
“Gjithashtu, Kuvendi i Republikës nuk është “shtëpia e tyre”, por e të gjithë 120 deputetëve. Shtëpia e Kadri Veselit është PDK, dhe atje ne nuk po i përzihemi. Në fakt, atje do të ishte e rendit të përzihen PDK-istat, duke kërkuar dorëheqjen e tij”, ka shkruar Gecaj në Facebook.
“Pse të ndihmohet ai që na solli në këtë derexhe”, shton ai.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, sot në një bisedë për Ekonomia Online, ka kritikuar për papjekuri dhe mungesë guximi liderët politikë dhe deputetët, të cilët po e zvarrisin konstituimin e Kuvendit.
Ndërsa, e ka quajtur të pamoralshme kërkesën e Vetëvendosjes dhe LDK-së që koalicioni PAN të ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast Kadri Veselin me një kandidat tjetër nga ky koalicion.
”Nuk është as e drejtë as e moralshme. Por morali në politikën ballkanike nuk ekziston gati. Është hajgare kur të zotit të shtëpisë ju i thoni që nuk je i zoti i shtëpisë si fëmijëve tu. Ku keni parë ku keni dëgjuar, në cilin vend ndoshta që t’i thuash kryetarit të një partie që i ka fituar zgjedhjet në koalicion, apo si i ka fituar zgjedhjet, ta kushtëzosh që t’i nuk mundesh me qenë por mundet me qenë dikush tjetër prej partisë tënde”.
“Në qoftë se dikush prej komshillëkut të thotë që unë nuk mund të jem zot shtëpie në shtëpinë time, por duhet ta marrë një zot shtëpie që ma këshillon kojshia, ose në këtë rast grupi politik, kjo është qesharake”, është shprehur Daci.