Për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, Kosova do të përfaqësohet në një Kampionat Evropian
Është gjyqtari Genc Nuza, i njohur për autoritetin e tij në fushën e gjelbër dhe i vlerësuar nga UEFA, që ka marrë ftesë për të qenë pjesë e Kampionati Evropian U19 “Malta 2023”, ka njoftuar FFK.
Ky kampionat do të zhvillohet prej 3 deri më 16 korrik në Maltë.
Nuza, i cili do të jetë gjyqtar i katërt në këtë turne, është një nga gjyqtarët e përzgjedhur nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët do të kenë përgjegjësinë për të ndarë drejtësinë në këtë event të rëndësishëm.
“Një ftesë e tillë, pa dyshim, është shembull i vlerësimit të punës së palodhshme dhe punës së mirë që gjyqtari në fjalë ka bërë në fushën e ndarjes së drejtësisë në futboll, por edhe përkushtimit të FFK-së në ngritjen e kuadrove sa më profesionale në këtë segment”, ka vlerësuar Federata e Futbollit e Kosovës.