“Gënjeshtar”, “mashtrues, shpifës je vet” – përplasje mes Haxhiut dhe Vitisë për punën në shëndetësi

Prishtinë | 02 Dhj 2024 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia janë përplasur në seancën e Kuvendit të Kosovës për punën që është bërë në sistemin shëndetësor gjatë qeverisë Kurti.

Teksa po fliste në Kuvend deputeti Haxhiu, ministri Vitia e ka quajtur deputetin e PDK-së “gënjeshtar”.

“Kqyre rrenc, mashtrues, shpifës je vet. Unë po flas me të dhënat që janë në raportin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK)”, deklaroi Haxhiu.

Pas deklaratës së Haxhiut, Vitia e ka pyetur Haxhiun rreth njohurive që ka për numrin e përgjithshëm të mjekëve në Kosovë.

“Lum ju deputetë, që mund të flisni këtu çfarë t’ju teket, pa asnjë argument. Po thoni që kanë ikur 3 mijë e 600 mjekë. A e dini sa mjekë ka Kosova, o Bekim?”, ka pyetur ministri.

“Në vitin 2018, gjatë gjithë kësaj kohe kur po thua se kanë ikur 94 mjekë, janë pensionuar me vetë dëshirë 91, janë larguar vetëm 91, kanë ndërruar jetë 12 persona, janë transferuar 9 persona dhe në Komisionin Disiplinor kanë shkuar dhe janë përjashtuar 11 persona. Kjo është shpifja e parë”, tha Vitia para deputetëve.

Ai i ka quajtur “shpifje” edhe të dhënat që u prezantuan nga Haxhiu për shërbimet laboratorike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Shpifja e dytë është që po thua se ka 1 milion shërbime më pak laboratorike në QKUK. Në vitin 2017 ishin 1.3 milionë shërbime laboratorike, në vitin 2018, 1.5 milionë; në vitin 2019, i nderuar Bekim, 1.6 milionë, ndërsa në vitin 2023, i dashuri dhe i nderuari Bekim Haxhiu, deputet i Republikës së Kosovës që ulesh e flet kështu, ajo që nuk duhet, janë regjistruar 4 milionë e 221 mijë e 936 shërbime. Prandaj, Bekim, të lutem mos gënje. Dhe, nëse gënjen, gënje për tokë, e jo për qiell”.

Vitia është sqaruar nga foltorja e Kuvendit edhe për humbjen e grantit të Bashkimit Evropian prej 7 milionë eurosh, për të cilën raportoi Albanian Post.

“Shumë mirë duhet ta dini se çfarë ka ndodhur me grantin prej 7 milionë eurosh. Ky grant, prej 7 milionë, i është dhënë jo vetëm Kosovës, por edhe vendeve të tjera të rajonit për sigurimin e vaksinave. Nga ky grant kemi pasur mundësinë të përfitojmë deri në gusht për të marrë vaksinat. Ne e kemi filluar marrjen e detyrës për sigurimin e vaksinave në vitin 2021, kur kemi siguruar 1 milion e 213 mijë vaksina”.

Ai ka kërkuar nga Haxhiu të bëjë llogaritë në mënyrë të duhur, sepse çmimin s’mund ta thotë duke u arsyetuar se është “kontratë sekrete”.

“Sa i përket shpifjes së Bekim Haxhiut, i cili thotë se i kemi marrë me çmimin më të shtrenjtë në rajon, vetëm po ia sqaroj me matematikë: Rreth 6 milionë e 600 mijë euro janë shpenzuar për 1 milion e 213 mijë vaksina. Llogarite vetë, Bekim, dhe vendose çmimin. Unë nuk mund ta them çmimin sepse është kontratë sekrete”.

Të ngjashme