Te Genoa janë të vendosur për ta kthyer sulmuesin polak Krzysztof Piatek, i cili do të largohet nga Hertha e Berlinit në afatin kalimtar të janarit.
Sajti italian “Calciomercato” ka njoftuar të enjten, se presidenti i Genoas, Enrico Presiozi, tashmë i ka bërë ofertë klubit gjerman për Piatekun pasi ka ofruar 20 milionë euro dëmshpërblim.
Piatek në janar të këtij viti iu bashkua Herthas, por ka kërkuar largimin pasi nuk ka arritur të adaptohet në Bundesligë. Ai ka shënuar tre gola këtë edicion në 13 ndeshje dhe me Herthan ka kontratë deri në vitin 2025.
Piatek ka luajtur te Genoa për gjashtë muaj përpara se të transferohej te Milani në fillim të vitit të shkuar. Me fanellën e Genoas, 25-vjeçari, ka shënuar 13 gola në 19 ndeshje.