Klubi i Futbollit Fushë Kosova (grupmoshat U-15) me trajner Nasuf Berisha, garon në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës (LRFP).
Në këtë Klub të Futbollit po rriten shumë talentë që premtojnë për të ardhmen, e në mesin e tyre është edhe Gent Shabani, mesfushori ofensiv njëherit kapiten i ekipit për grupmoshat e tij, i cili në sezonin e kaluar realizoi 10 gola dhe bëri 16 asistime, ku paraqitjet e mira të tij për grupmoshat e Fushë Kosovës kanë bërë që disa klube jashtë Kosovës ta vëzhgojnë talentin e tij.
Shabani në një prononcim për Ekonomia Online shprehet shumë i lumtur që është pjesë e grupmoshave U-15 të Fushë Kosovës dhe premton që do të punojë shumë që të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen, ku e pret një karrierë e ndritshme.
“Unë jam i lumtur që jam pjesë e Fushë Kosovës. Me punën e palodhshme të trajnerit Nasuf Berisha ne po mësojmë çdo ditë e më shumë, po përmirësohemi dhe premtoj që nuk do të ndalem derisa të arrij majat e suksesit ”, ka thënë kapiteni i skuadrës.
Ne shpresojmë se talentët e Kosovës të marrin më shumë përkrahje që një ditë të na përfaqësojnë më së miri dhe të na bëjnë krenarë me paraqitjet e tyre dhe duke përfaqësuar shtetin tonë.