Aktori i famshëm amerikan George Clooney mbi katër vitet e çmendura nën Donald Trumpin.
Anekënd botës njerëzit interesohen për George Clooneyn. Kur thotë se i pret flokët vetë, të gjitha mediat shkruajnë një storje. Por George Clooney thotë se këto trivialitete mediale nuk i interesojnë. Ai interesohet për tema të tjera.
Për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” Clooney ka folur për katër vitet e çmendura nën Donald Trumpin. Për urrejtjen, dhunën, mohimin e përhershëm të fakteve shkencore, krejt marrëzinë politike.
“Nëse i shihni të gjitha këto, nuk është e paimagjinueshme që ne pas 40 vitesh ta fundosim veten”, thotë Clooney.
“Unë jetoj në një vend në të cilin presidenti katër vite me radhë i quan mediat armike të popullit. Ai i ka mohuar ndryshimet klimatike. Pas nesh janë katër vite gjatë së cilave njëri sot thoshte se është mik me Kim Xhon-unin – dhe pas një letre të ashpër gjendeshim para një katastrofe nukleare. Kur vazhdimisht e ke këtë ndjenjë jostabiliteti, duhet të ballafaqoheni me të”, thotë aktori amerikan.
Por, sipas Clooneyt, më 20 janar drama do të marrë fund. Joe Biden do të jetë president.
Sa i përket Trumpit: “Nuk po e braktis njeriu postin, por posti njeriun”. Lidhur me të ardhmen e Trumpit, Clooney ka një parashikim. Nuk e përjashton mundësinë që një gjykatë e New Yorkut t’ia dërgojë një ftesë. Mund të ketë edhe padi civile.
Clooney: “Besoj se unë do e padisja nëse dikush nga familja ime të kishte vdekur nga Covid-19”. Clooney përjashton mundësinë që Trump të kandidojnë më 2024. “Më shumë mendoj se ai do të shihet i veshur me një pelerinë që i përshtatet ngjyrës së lëkurës së tij”. Clooney e ka fjalën për pelerinat ngjyrë portokalli që i bartin të burgosurit në SHBA.
Clooney thekson se Trump ka falimentuar pesë herë dhe ia ka nisur me 200 milionë dollarë të bëjë biznes, por ka përfunduar duke i humbur të gjitha. “Këtu ka çfarë të zbulohet. Do të jetë interesante të shihet se çka do të ndodhë kur nuk do të jetë më në pushtet”.
Në pyetjen nëse e ka takuar ndonjëherë Trumpin, Clooney jep përgjigjen më interesante dhe më të ashpër në këtë intervistë: “E kam takuar disa herë (Trumpin), madje diku në notesin tim e kam edhe numrin e tij të telefonit. Kur nuk ka qenë president, por vetëm një kloun nga New Yorku, organizoheshin darka me shumë pjesëmarrës, dhe sapo largohej gruaja e tij, ai afrohej te unë dhe më pyeste nëse ia di emrin kamerieres. Këso tipi është ai. Një budalla. Një tip burri që të mërzisin edhe kur i takon në bar”.