“Kanë qenë tri superfuqi: Amerika, Kina edhe Gërmia”. Natyrisht nuk e thotë me besimin se është kështu në të vërtetë, por kësisoj Muharrem Ibrahimi dëshiron që t’ia theksojë namin që dikur ka pasur shtëpia e mallrave në Prishtinë.
Ish-zyrtari i financave në këtë ndërmarrje, që është punësuar në vitin 1975 aty, është në mesin e më shumë se 500 punëtorëve, të cilët që nga vitet e ’90 janë jashtë vendit të tyre të punës. Njëherë masat e dhunshme të pushtetit serb, e më pas siç thotë ai uzurpimi nga shteti i Kosovës, ka bërë që ata të mbesin në shpërfillje.
Të tillë kanë mbetur edhe së fundi, kur për objektin është ngjallur diskutim në mes të rrafshimit të saj për t’i lënë vend një salle koncertale e ruajtjes si monument i trashëgimisë kulturore.
Mijëra kujtime ruajnë njerëzit për këtë objekt. Disa të tillë i rrëfen punonjësi i financave. E të tjera ruan Naxhije Berisha, që dikur bënte pazar aty, si shumë të tjerë.