Pas një informate nga pala serbe se në Kizhevak gjenden trupa të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, grupi punues që merret me gjetjen e personave të zhdukur ka gërmuar në këtë lokacion për 140 ditë.
Aktualisht punimet janë ndërprerë, pasi që në këtë lokacion nuk u gjet asnjë mbetje mortore.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësi Ligjore, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se edhe përkundër punës prej 140 ditëve në këtë lokacion nuk është arritur që të identifikohet se mund të ketë trupa të personave të zhdukur gjatë luftës.
Gërxhaliu ka thënë se në lokacioni ku po gërmohej janë hedhur mbeturinat e një miniere që ndodhet në atë pjesë.
“Janë larguar me qindra e mijëra tonë gurë, mos të them është lëvizur një bjeshkë e tërë, nuk ka pasur gjetje. Miniera që gjendet afër këtij lokacioni ka hedhur mbeturinat në këtë lokacion, çka ka bërë që këtu të grumbullohen shumë mbeturina. Por zyrtarisht është mbyllur ajo pjesë se nuk është gjetur as një trup”, ka sqaruar Gërxhaliu.
Ndonëse nuk u gjet as një trup Gërxhaliu, thotë se në këtë pjesë mund të ketë ekzistuar një varrezë masive. Sipas tij, vetëm sigurimi i pamjeve apo fotografive satelitore të kohës së luftës do të ndihmonin në lokalizimin e vendit ku mbahen trupat, raporton EO.
“Ekziston edhe një shans nëse në ndërkohë mund të sigurohen edhe fotografitë satelitore të vitit ‘99 që të rishikohet vendi dhe lëvizja e dheut, por deri në këtë moment nuk është gjetur asgjë. Me siguri ndoshta edhe do të hapet si pikë dialoguese në takimet që kemi me palën serbe në mënyrë që të shtrohet nevoja të tërhiqen ato fotografi dhe të shikohet pra lëvizja e dheut në atë kohë. Ndoshta këto fotografi do të sigurohen përmes miqve ndërkombëtar, pra dihet se kush e ka aftësinë teknologjike qysh në atë kohë, kemi pasur përvojën e njëjtë edhe në Rudnicë përmes pamjeve satelitore që kanë qenë shumë të vlefshme për lokalizimin e vendit”, ka thënë Gërxhaliu.
Ekonomia Online ju sjell pamje ekskluzive gjatë gërmimeve në Kizhevak.