Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare duhet të dalë pa vonesë me qëndrim mbi sulmin serb në Banjskë, duke shtuar se agresori duhet të sanksionet.
Pas takimit me homologun e Shqipërisë, Igli Hasani, ajo ka deklaruar në një konferencë për media të martën se mungesa e ndëshkimit “bart në vete rrezikun e përsëritjes së sulmit”.
“E njoftova Iglin për situatën në veri, ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur atje, aktin e agresionit të hapur serb, duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me qëndrim të qartë të asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe të sanksionojë agresorin. Mungesa e ndëshkimit bart në vete rrezikun e përsëritjes”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka theksuar se për hir të paqes, bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e heshtur, “por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë destabilizuese”.